Kosova po shndërrohet në “fabrikë” të lojtarëve të Counter-Strike 2 – statistikat e fundit e dëshmojnë

Kosova po shfaqet si një prej vendeve më të veçanta në botën e Counter-Strike, dhe statistikat më të fundit të FACEIT e dëshmojnë këtë.
Sipas të dhënave të publikuara për sezonin e nëntë të matchmaking-ut, Kosova renditet bindshëm në vendin e parë në botë për numrin e lojtarëve Level 10 në raport me popullsinë, me 228 lojtarë për 100 mijë banorë.
Pas Kosovës vijnë Finlanda me 92, Danimarka me 90, Maqedonia e Veriut me 75 dhe Kazakistani me 74. Më pas renditen Letonia me 72, Estonia me 71, Islanda me 70, Bjellorusia me 64 dhe Rusia me 59.
Dallimi është i jashtëzakonshëm. Shifra e Kosovës është më shumë se dyfishi i Finlandës, që ndodhet në vendin e dytë.
Çfarë do të thotë Level 10?
Në sistemin e FACEIT për Counter-Strike 2, lojtarët klasifikohen nga Level 1 deri në Level 10. Level 10 është niveli më i lartë i skill level-it, ndërsa lojtarët më të mirë të këtij grupi mund të arrijnë edhe statusin Challenger, i cili u rezervohet 1,000 lojtarëve më të mirë në renditje.

Pra, bëhet fjalë për një grup lojtarësh që kanë arritur majën e sistemit konkurrues të FACEIT, jo thjesht për persona që luajnë Counter-Strike në mënyrë rekreative.
Nga LAN-kafetë te skena botërore
Statistika e re merr edhe më shumë kuptim kur shikohet historia e Counter-Strike në Kosovë.
Një prej pikave më të rëndësishme të kësaj historie ishte shpërthimi i Bad News Eagles në vitin 2022.

Ekipi kosovar u krijua nga lojtarë që ishin zhvilluar përmes skenës së FACEIT dhe FPL, ndërsa disa prej tyre kishin kaluar vite duke luajtur në LAN-kafe.
Në një intervistë të vitit 2022 për HLTV, lojtarët e Bad Neës Eagles treguan se LAN-kafetë ishin pjesë e rëndësishme e rrugëtimit të tyre dhe se në komunitetin shqiptar e kosovar kishte shumë lojtarë që luanin nga këto ambiente./Telegrafi/











































