Kosova pa asnjë universitet privat

Ky është rekomandimi që ka bërë Agjencia e Akreditimit e Kosovës, qeverisë respektivisht ministrisë së Arsimit pas procesit të akreditimit të bartësve Privat të Arsimit të Lartë. Ky akreditim do të vlejë për një vit.
Në bazë të rekomandimeve këtë emër mund ta bartin këto institucione private të arsimit të lartë. AAB RIINVES, FAMA, UBT, Instituti për studime të menaxhmentit internacional, VICTORY, dhe ILIRIA.
Ndërkohë institucionet arsimore si UNIVERSUM, PJETËR BUDI dhe BIZNESI mund të bartin emrin Institut për shkak se nuk i kanë përmbushur në nivel të kënaqshëm kriteret dhe standardet e akreditimit.
Në bazë të rekomandimeve, AAB-RIINVEST është akredituar në 11 programe dhe atë në katër drejtime: ekonomi, juridik, komunikim masiv si dhe kulturë fizike dhe sport.
Bartësi privat i Arsimit të Lartë FAMA akreditohet në 5 programe: në ekonomi, juridik kriminalistikë dhe shkenca politike.
ILIRIA është akredituar me 6 programe studimi, UBT me 4 programe, BIZNESI me 3 programe ndërkohë që disa institucione të tjera janë akredituar në disa programe specifike.
Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Cilësisë, Ferdije Zhushi Etemi tha se akreditimi është bërë në bazë të vlerësimeve që kanë bërë ekpiet vlerësuese të ekspertëve ndërkombëtar.
Agjencia e Akreditimit e Kosovës publikoi edhe rekomandimet për 4 njësitë e akreditimit të Universitetit Publik të Prishtinës. Në fakultetin Ekonomik janë akredituar 4 programe bachelor dhe master. 3 programe bechelor në fakultetin e Shkencave Aplikative të Biznesit në Pejë. 11 programe janë akredituar në fakultetin filozofik dhe 4 në fakultetin e mjekësisë.
Këshilli Kombëtar i Cilësisë ka rekomanduar që të mos akreditohen dhe të mos pranojnë student të ri në këtë vit akademik këto programe: Psikologji në nivel bechelor, Psikologji klinike në nivelin master, programi etnologji në nivel bechelor dhe master, programi farmaci si dhe programi fizioterapi.
Përveç programeve të akredituara me kusht, të gjitha programet tjera në UP akreditohen për 3 vjet.
Duke e arsyetuar vendimin për akreditim ministri Enver Hoxhaj, në mbledhjen e Qeverisë të martën ka thënë se akreditimi që ka përfshirë të gjithë bartësit e arsimit privat në Kosovë ka ndodhë në përputhje me standardet dhe kriteret evropiane.
Ky proces ka filluar më 1 tetor 2008 dhe ka përfunduar më 6 korrik kur Këshilli Kombëtar i Cilësisë i ka ofruar rekomandimet Qeverisë për cilat institucione mund të akreditohen ose licencohen. /rtv21/telegrafi/


















































