LAJMI I FUNDIT:

Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria me projekte të përbashkëta në fushën e inovacionit

Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria me projekte të përbashkëta në fushën e inovacionit

Ministri i Inovacionit dhe ndermarrësisë, Besim Beqaj, ka zhvilluar sot një takim me Ministrin e Shoqërisë Informative dhe Administratës së Maqedonisë, Damian Manchevski dhe Drejtoreshën e Përgjithshme të Agjencisë së Përgjithshme të Shoqërisë së Informacionit të Shqipërisë, Mirlinda Karcanaj.
Beqaj deklaroi se ky takim i nivelit rajonal i ka bërë bashkë për një projekt konkret, projekt ky shumë i rëndësishëm të cilin shumë shpejt do ta dorëzojnë në Bashkim Evropian.

“Ne shumë shpejt do të takohemi me Komisioneren Gabriel, së cilës do t’ia prezantojmë projektin tonë të përbashkët. Ky projekt kap vlerën prej 20 milionë euro dhe do t’i ndihmoj jashtëzakonisht vendet tona të zhvillohen tutje”, theksoi ministri Beqaj.


Ndërkaq, në deklarimin e saj Drejtoresha Karcanaj, tha se është shumë e lumtur për këtë projekt të përbashkët. “Uroj që projekte të tilla me rëndësi për vendet e Ballkanit të vazhdojnë. Shpresoj që kësaj iniciative t’i bashkohen edhe shtetet tjera”.

Kurse, Ministri maqedonas Manchevski, duke shprehur kënaqësinë e madhe për këtë projekt dhe bashkëpunimin mes tri shteteve, tha se vetëm të bashkuar mund t’i zhvillojmë vendet tona dhe të ardhmen e tyre. Ai po ashtu përmendi marrëveshjen për roaming mes shteteve si diçka shumë të rëndësishme për ekonomitë tona. “Përfundimisht do ta bëjmë Qendrën Rajonale për Siguri Kibernetike, një hap shumë i rëndësishëm për të gjithë”, përfundoi Manchevski.

Disa nga çështjet shumë të rëndësishme pjesë e këtij projekti janë: Marrëveshja Rajonale për Kostot e Roamingut, Cloud për Hulumtim dhe Zhvillim, fuqizimi i grave, Smart City, Open Data, Internet of Things, Qendra Rajonale për Siguri Kibernetike, etj.

Ndryshe, iniciativa e tri shteteve, është projekt i cili do të prezantohet këtë muaj para Komisioneres Evropiane për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale, Mariya Gabriel./Telegrafi/