Bleforaplatika është intervenim estetik i korrigjimit të kapakëve të syrit, kapakëve të varur, të lëshuar, lëkurës së tepërt; largimin e rrudhave rreth syve, largimin e qeskave të fryra nën sy të cilat i japin fytyrës një pamje të lodhur

Prof. Ass. Dr. Violeta Zatriqi
kirurge plastike-estetike
tel. +383 44 136 97

Korrigjimi i kapakut është intervenim i lehtë dhe i sigurt; realizohet kryesisht për një dukje të freskët të ripërtëritjes së personit.

Është e njohur thënia “vitet shihen në sy”, andaj kapaku i lëshuar, qeskat e fryra nën sy, japin pamjen e një personi më të lodhur – më të vjetër. Meqenëse lëkura në kapakun e syrit është e hollë, çdo ndryshim në elasticitetin e saj, tonusi, gjendja e masës dhjamore, menjëherë ndikojnë në ndryshimin e pamjes së kapakut të syrit.

Me kalimin e kohës vjen deri te lëshimi i muskujve orbikularë që lëvizin kapakun andaj vjen deri te eksponimi i masës dhjamore nën lëkurë që manifestohet me formimin e qeskave-jastëkut dhe kapakut të fryrë e të lëshuar.

Metodat e intervenimit

Korrigjimi i kapakut të sipërm

Nëse kapaku i sipërm është tepër i lëshuar, ai mund të shkaktojë pos shqetësimit estetik edhe pengesa në të pamur, andaj në rate të tilla, bëhet largimi i lëkurës së tepërt dhe i indit yndyror, korrigjohet muskuli orbicularis oculis. Cikatriksi që ngel është në palën e rrudhës së syrit dhe ka dukje natyrale.

Gjithashtu, blefaroplastika ka mundësi të kombinohet edhe me një operim tjetër, me liftin frontal. Pra, me një akt, bëhet ngritja e vetullave, ballit, tërheqja e syve dhe e kapakut te syrit.

Korrigjimi i kapakut të poshtëm

Nëse është e pranishme teprica e lëkurës dhe e indit dhjamor në kapakun e poshtëm, procedura është e njëjtë si tek kapaku i sipërm vetëm se prerja bëhet në skaj, nën qerpik deri 1-1.5 cm në skajin lateral të këndit të syrit ku përfundon në njërën nga rrudhat e syrit në mënyrë që të mos vërehet.

Nëse në kapakun e poshtëm nuk kemi tepricë lëkure, por kemi vetëm prezencën e qeskës, atëherë bëhet qasja transkonjuktivale (përmes konjunktivës së kapakut të poshtëm në brendi të syrit).

Shumë shpesh gjatë këtij intervenimi bëhet edhe korrigjimi i hijeve të errëta në mes hundës dhe kapakut të syrit.

Blefaroplastika e sipërme, por edhe e poshtme, zakonisht realizohen secila me anestezion lokal që zgjatë 30 minuta. Mirëpo, nëse realizohet intervenimi i kombinuar, atëherë kjo bëhet me anestezion të përgjithshëm.

Përgatitja preoperatore konsiston në analiza laboratorike për pacientin, ndërsa kirurgu plastik bën markimin e vijës së prerjes para intervenimit. Pastaj injekton anestetikun lokal dhe bënë largimin e lëkurës së tepërt dhe masës dhjamore, ndërsa pas hemostazës korrekte, bënë qepjen e plagës.

Periudha postoperative. Rehabilitimi është pa dhimbje, penjtë hiqen ditën e 5-7. Në ditët e para paraqitet një mavijosje dhe edemë e cila fillon të largohet, por edema definitivisht mënjanohet pas një muaji. Meqenëse shenja është në palën e rrudhave, cikatriksi gati është i padukshëm.

Pacienti pas operimit duhet të mbajë lecka të ftohta, të mos qëndrojë në diell dhe solarium deri 6 javë sepse cikatriksi mund të pigmentohet.

Komplikimet

Nëse intervenimi bëhet në mënyrë korrekte, komplikimet janë të rralla. E metë në kapakun e poshtëm mund të jetë “syri i rrumbullakët”, apo te kapaku i sipërm “sytë në gropë”.

Kohëzgjatja e këtij intervenimi zgjatë me vite dhe kjo varet nga gjenetika, mënyra e jetesës, mosha kur është realizuar intervenimi. /Telegrafi/