Ngecja në të folur te fëmijët e moshës parashkollore

Zhvillimi i gjuhës varet nga dëgjimi, pjekuria neurologjike, mjedisi familjar, emocionet dhe ndërhyrja e hershme. Njohja e shenjave në kohë mund ta ndryshojë rrjedhën e zhvillimit të fëmijës
Zyla Musliu,
Logopede në Psikiatri për fëmijë dhe adoleshentë
Tel. 045 663 774
Prindi është personi që e njeh më së miri fëmijën e vet. Ai e kupton mënyrën si fëmija kërkon diçka, si reagon ndaj zërit, si luan, si tregon me gisht dhe si përpiqet të komunikojë edhe para se të flasë qartë. Prandaj, prindërit janë shpesh të parët që e vërejnë se zhvillimi i të folurit nuk po ecën me ritmin e pritur.
Shqetësimi i tyre, megjithatë, shpesh zbutet nga fjali si: "Edhe ai ka folur vonë", "Është djalë, prandaj flet më vonë", ose "Mos u shqetëso, do t’i vijë vetë". Ndonjëherë kjo mund të jetë e vërtetë, sepse fëmijët nuk zhvillohen të gjithë njësoj. Por në raste të tjera, vonesa në të folur mund të jetë shenja e parë e një vështirësie në zhvillimin gjuhësor, dëgjimor, komunikues, emocional ose neurologjik.
Gjuha, bazë e zhvillimit të fëmijës
Të folurit nuk është vetëm shqiptim fjalësh. Ai është mënyra përmes së cilës fëmija shpreh nevojat, ndjenjat, mendimet dhe përvojat e tij. Gjuha është themel i komunikimit, i të mësuarit, i lojës dhe i marrëdhënieve sociale.
Kur zhvillimi gjuhësor ngec, mund të ndikohen edhe sjellja, vetëbesimi, loja me bashkëmoshatarët dhe më vonë përgatitja për shkollë. Prandaj, ngecja në të folur nuk duhet parë si problem i izoluar, por si pjesë e zhvillimit të përgjithshëm të fëmijës.
Fazat kryesore të zhvillimit
Në muajt e parë të jetës, foshnja komunikon përmes të qarit, tingujve spontanë, mimikës dhe reagimeve trupore. Nga muaji i dytë deri në të pestin shfaqen buzëqeshja, gukatja dhe reagimet zanore ndaj të folurit të prindërve. Nga muaji i pestë deri në të tetin fillojnë lojërat me tinguj dhe belbëzimet e para me rrokje, ndërsa nga muaji i tetë deri në të dymbëdhjetin fëmija nis të përsërisë më me vetëdije rrokje dhe të kuptojë fjalë të thjeshta.
Rreth moshës njëvjeçare zakonisht shfaqen fjalët e para me kuptim. Në moshën dyvjeçare, fëmija fillon të formojë fjali të thjeshta dhe zakonisht kupton më shumë sesa mund të shprehë. Rreth moshës trevjeçare kupton tregime të shkurtra, ndërsa nga mosha katër deri në gjashtë vjeç zhvillon aftësinë për të kuptuar fjali më të ndërlikuara dhe për të përdorur struktura më të pasura gramatikore.
Nëse një fëmijë mes moshës 18 dhe 35 muaj ka fjalor shumë të kufizuar, për shembull më pak se 50 fjalë, ose në moshën dyvjeçare nuk arrin të lidhë dy fjalë në shprehje të thjeshta, kjo është shenjë që kërkon vlerësim profesional.

Të kuptuarit vjen para të folurit
Një dallim i rëndësishëm është ai mes gjuhës receptive dhe gjuhës ekspresive. Gjuha receptive lidhet me të kuptuarit e asaj që dëgjon fëmija, ndërsa gjuha ekspresive me aftësinë për t’u shprehur.
Para se të flasë, fëmija duhet të fillojë ta kuptojë gjuhën. Ai reagon ndaj emrit, njeh sende të përditshme, ndjek udhëzime të thjeshta dhe përdor gjeste për të komunikuar. Nëse fëmija nuk kupton kërkesa të thjeshta, nuk tregon me gisht, nuk përshëndet me dorë, nuk kërkon me gjeste dhe nuk përpiqet të ndajë vëmendjen me të tjerët, kjo kërkon vëmendje të veçantë.
Vonesa vetëm në të folur mund të ketë ecuri më të mirë nëse të kuptuarit është i ruajtur. Por kur vonesa përfshin edhe të kuptuarit, rreziku për vështirësi më të qëndrueshme është më i madh.
Shenjat që nuk duhen anashkaluar
Gjestet janë pjesë thelbësore e komunikimit të hershëm. Fëmija tregon me gisht, zgjat dorën, ngre duart për t’u marrë në krahë, drejton shikimin nga objekti që dëshiron dhe përdor mimikën për të komunikuar. Mungesa e këtyre formave të komunikimit, sidomos pas vitit të parë të jetës, duhet të merret seriozisht.
Një tregues tjetër është përvetësimi i fjalëve të reja. Nëse fëmija, muaj pas muaji, mëson fjalë të reja, fillon t’i bashkojë ato dhe përpiqet të bëjë pyetje të thjeshta, vonesa mund të jetë më e lehtë. Por nëse fjalët e reja shfaqen rrallë, nëse fjalori mbetet i pandryshuar ose nëse fëmija humb fjalë që më parë i përdorte, duhet kërkuar këshillë profesionale.
Çrregullimet më të shpeshta
Vështirësitë në të folur mund të shfaqen në forma të ndryshme. Te fëmijët parashkollorë më të shpeshta janë çrregullimet e shqiptimit, çrregullimet fonologjike, vështirësitë gjuhësore, belbëzimi, të folurit shumë i shpejtë dhe i paqartë, si dhe çrregullimet e zërit.
Çrregullimet e shqiptimit shfaqen kur fëmija lë jashtë tinguj, i zëvendëson me tinguj të tjerë ose i shqipton në mënyrë jo të saktë. Disa gabime janë normale në mosha të caktuara, por kur të folurit mbetet i pakuptueshëm ose gabimet vazhdojnë gjatë, nevojitet vlerësim logopedik.
Vështirësitë gjuhësore janë më të gjera se shqiptimi. Ato lidhen me fjalorin, ndërtimin e fjalive, kuptimin e gjuhës, përdorimin e gramatikës dhe aftësinë për ta përdorur gjuhën në komunikim. Një fëmijë mund të shqiptojë disa fjalë, por të mos arrijë t’i përdorë në mënyrë funksionale.
Belbëzimi dhe të folurit shumë i shpejtë
Belbëzimi shfaqet shpesh mes moshës dy dhe pesë vjeç. Ai mund të manifestohet me përsëritje të tingujve, rrokjeve ose fjalëve, zgjatje të tingujve, bllokime gjatë të folurit dhe tension të dukshëm.
Te disa fëmijë mund të jetë kalimtar, por duhet kërkuar ndihmë nëse zgjat, nëse fëmija shmang të folurit, nëse shfaq tension ose nëse prindërit vërejnë përkeqësim.
Të folurit shumë i shpejtë dhe i paqartë është një tjetër formë vështirësie. Fëmija mund të “gëlltisë” rrokje ose fjalë, të kalojë nga një mendim në tjetrin pa rend dhe të mos jetë i vetëdijshëm se të tjerët nuk po e kuptojnë. Kjo mund të ndikojë në vetëbesim, marrëdhënie sociale dhe suksesin e mëvonshëm në shkollë.
Dëgjimi, kusht për zhvillimin e gjuhës
Fëmija mëson të flasë duke dëgjuar. Nëse nuk i dëgjon qartë tingujt, fjalët dhe modelet gjuhësore, mund të ketë vështirësi në shqiptim, fjalor, kuptim dhe ndërtim fjalish.
Humbja e dëgjimit mund të jetë e lindur ose e fituar. Edhe infeksionet e shpeshta të veshit të mesëm mund të ndikojnë në zhvillimin gjuhësor, sidomos kur shkaktojnë grumbullim të lëngut pas daulles së veshit. Disa fëmijë mund të kenë edhe vështirësi në përpunimin dëgjimor: dëgjojnë, por kanë problem në dallimin e tingujve të ngjashëm ose në kuptimin e të folurit në zhurmë.
Prandaj, në çdo vonesë të të folurit, kontrolli i dëgjimit është hap shumë i rëndësishëm.
Mjedisi, emocionet dhe ekranet
Mjedisi ku rritet fëmija ka ndikim të madh në zhvillimin e gjuhës. Fëmijët që dëgjojnë biseda, tregime, këngë, pyetje dhe përgjigje kanë më shumë mundësi të zhvillojnë fjalor të pasur dhe komunikim më të mirë.
Stimulimi verbal nuk do të thotë ta detyrosh fëmijën të përsërisë fjalë, por t’i flasësh gjatë aktiviteteve të përditshme, t’i përshkruash çfarë po ndodh, t’i japësh kohë të përgjigjet dhe ta nxitësh pa presion.
Përdorimi i tepërt i telefonit, tabletit ose televizorit mund ta zvogëlojë komunikimin e drejtpërdrejtë. Fëmija mund të dëgjojë fjalë nga ekrani, por zhvillimi gjuhësor kërkon kontakt me sy, përgjigje, lojë, pritje, ndërrim rolesh dhe përfshirje emocionale.
Edhe stresi, konfliktet, neglizhenca ose mungesa e sigurisë emocionale mund të ndikojnë në të folur. Kur fëmija nuk ndihet i sigurt dhe i dëgjuar, ai mund të flasë më pak, të tërhiqet ose të shfaqë vështirësi në shprehje.
Dygjuhësia nuk është shkak i çrregullimit
Rritja në një mjedis dygjuhësh nuk shkakton çrregullime të të folurit. Disa fëmijë mund t’i përziejnë gjuhët në fillim ose të kenë ritëm të ndryshëm në secilën gjuhë, por kjo zakonisht është pjesë normale e zhvillimit.
Megjithatë, nëse fëmija ka vështirësi të dukshme në të dy gjuhët, në kuptim, fjalor dhe ndërtim fjalish, atëherë nuk duhet t’i atribuohet gjithçka dygjuhësisë. Në atë rast nevojitet vlerësim logopedik.
Muzika si mbështetje për të folurit
Muzika dhe gjuha kanë elemente të përbashkëta: ritmin, intonacionin, melodinë dhe përsëritjen. Këngët, rimat dhe lojërat ritmike i ndihmojnë fëmijët të dallojnë tingujt, të mbajnë mend fjalët dhe të zhvillojnë vetëdijen fonologjike, e cila më vonë lidhet edhe me leximin.
Përmes këngëve, fëmija mëson fjalë të reja, struktura të thjeshta gjuhësore dhe mënyra për të shprehur emocione. Për disa fëmijë, këndimi mund të jetë më i lehtë sesa të folurit e zakonshëm, sepse melodia ndihmon organizimin e fjalëve dhe ul tensionin.
Vlerësimi logopedik dhe terapia
Vlerësimi logopedik fillon me bisedë të detajuar me prindërit për shtatzëninë, lindjen, zhvillimin e hershëm, fjalët e para, mënyrën si fëmija komunikon, luan dhe reagon ndaj të tjerëve.
Më pas vlerësohen shqiptimi, artikulimi, fjalori, kuptimi i gjuhës, ndërtimi i fjalive, përdorimi i gramatikës, rrjedhshmëria e të folurit, cilësia e zërit dhe përdorimi i gjuhës në komunikim social. Logopedi mund të vëzhgojë edhe lojën e lirë, sepse ajo tregon shumë për mënyrën si fëmija mendon, kupton dhe ndërvepron.
Nëse është e nevojshme, rekomandohen teste dëgjimore, vlerësim psikologjik, neurologjik ose konsultë me specialistë të tjerë.
Pas vlerësimit, logopedi harton plan të individualizuar. Terapia mund të përfshijë ushtrime për shqiptim, zhvillim të fjalorit, ndërtim fjalish, përmirësim të kuptimit, punë me ritmin e të folurit, ushtrime për zërin dhe këshillim të prindërve.
Pse ndërhyrja e hershme është vendimtare
Në moshën parashkollore, truri i fëmijës është shumë i hapur për të mësuar dhe për t’u përshtatur. Sa më herët të fillojë mbështetja, aq më shumë mundësi ka fëmija të zhvillojë fjalorin, shqiptimin, kuptimin e gjuhës dhe aftësitë komunikuese.
Nëse vështirësitë lihen pa trajtim, ato mund të ndikojnë më vonë në lexim, shkrim, sjellje, vetëbesim dhe marrëdhënie sociale. Fëmija që nuk arrin të shprehet shpesh bëhet i irrituar, i tërhequr ose i pasigurt.

Roli i prindërve dhe edukatorëve
Prindërit janë pjesë thelbësore e procesit. Terapia nuk përfundon në kabinetin e logopedit, por vazhdon në shtëpi, në mënyrën si prindi i flet fëmijës, si e dëgjon, si e nxit dhe si i jep kohë të përgjigjet.
Prindi nuk duhet ta kritikojë fëmijën për gabimet, as ta detyrojë të përsërisë vazhdimisht fjalë. Më e dobishme është t’i japë model të saktë, të flasë qartë, ta zgjerojë atë që fëmija thotë dhe ta inkurajojë komunikimin pa presion.
Edhe edukatorët kanë rol të rëndësishëm, sepse mund të vërejnë si fëmija komunikon në grup, si luan me bashkëmoshatarët, si ndjek udhëzime dhe si shprehet në situata sociale.
Kur duhet kërkuar ndihmë
Ndihma profesionale duhet kërkuar kur fëmija nuk zhvillon fjalë të reja, nuk lidh dy fjalë në moshën e pritur, nuk kupton udhëzime të thjeshta, nuk përdor gjeste, nuk reagon ndaj emrit, flet shumë pak krahasuar me bashkëmoshatarët, belbëzon me tension, flet shumë shpejt e pakuptueshëm, ka zë të ngjirur për kohë të gjatë ose duket se nuk dëgjon mirë.
Ngecja në të folur te fëmijët parashkollorë nuk duhet parë me panik, por as nuk duhet lënë pas dore. Çdo fëmijë ka ritmin e vet, por çdo fëmijë që ka vështirësi në komunikim meriton të dëgjohet, të kuptohet dhe të ndihmohet në kohë.
Të folurit është mënyra si fëmija lidhet me botën. Përmes tij ai kërkon, pyet, tregon, proteston, gëzohet, mëson dhe ndërton marrëdhënie. Prandaj, ndërhyrja e hershme nuk është vetëm trajtim i një vështirësie gjuhësore, por investim në zhvillimin emocional, social dhe mendor të fëmijës. /Telegrafi/
















































