LAJMI I FUNDIT:

Komuna e Prishtinës për një vit dha 143 kontrata në vlerë prej 11.5 milionë euro

Komuna e Prishtinës për një vit dha 143 kontrata në vlerë prej 11.5 milionë euro

Pavarësisht që 2020-ta është konsideruar si viti i pandemisë COVID-19, Komuna e Prishtinës brenda kësaj periudhe ka dhënë disa kontrata për punë të ndryshme.

Sipas të dhënave të platformës “Prokurimi i Hapur”, shkruan Telegrafi, gjatë vitit 2020 janë nënshkruar 143 kontrata me volum prej 11 milionë e 547 mijë euro.


Në top 10 kontratat më të mëdha është ajo për vazhdimin e rrugës “B”, përkatësisht pjesa e dytë e punimeve, në vlerë prej 1.74 milionë euro. Fitues i kësaj kontrate është kompania sllovene Stva.

Kontrata e dytë më e madhe është ajo për sinjalizimin horizontal dhe vertikal të rrugëve dhe vendbanimeve të realizuar nga RSM Company në vlerë prej 593 mijë euro.

Ndërsa, kontrata e tretë më e madhe është për ndërtimin e parkut rekreativo-sportiv në lagjen Dardania, në vlerë prej 473 mijë euro, të realizuar nga kompania Rexha.

Vlera e 10 kontratave më të mëdha të dhëna nga Komuna e Prishtinës për këtë vit është 3 milionë e 643 mijë euro.

Punët ndërtimore vazhdojnë të dominojnë në kontratat me volum më të madh të nënshkruara nga 16 industritë kryesore, pasuar nga furnizimi me pajisje mjekësore dhe ofrimi i mallrave.

Nga 11.5 milionë euro, 8.48 milionë euro janë dhënë për punë ndërtimore, rreth 1.2 milionë euro për furnizim me pajisje mjekësore dhe 863 mijë euro për ofrim të mallrave, nga totali prej 12.1 milionë euro.

Nga tipi i lidhjes së kontratës, me procedurë të hapur janë dhënë rreth 7.1 milionë euro, ndjekur nga ajo me vlerë të mesme me 6.3 milionë euro dhe vlerë më e madhe me 6 milionë euro.

Komuna e Prishtinës projekton 1 metër rrugë për 1 cent
Lexo po ashtu Komuna e Prishtinës projekton 1 metër rrugë për 1 cent

Komuna e Prishtinë në muajin nëntor të vitit të kaluar kishte hapur tenderin për hartimin e projekteve për infrastrukturë rrugore, ku nënshkrimi i kontratës me operatorët fitues ishte bërë në maj të 2021-së.

Telegrafi ka gjetur se Komuna e Prishtinës ka përdorur procedurën e poentim të çmimit dhe se projektimi i 1 metër rrugë është bërë për 1 cent. /Telegrafi/