LAJMI I FUNDIT:

Komuna e Prishtinës projekton 1 metër rrugë për 1 cent

Komuna e Prishtinës projekton 1 metër rrugë për 1 cent

Komuna e Prishtinë në muajin nëntor të vitit të kaluar kishte hapur tenderin për hartimin e projekteve për infrastrukturë rrugore, ku nënshkrimi i kontratës me operatorët fitues ishte bërë në maj të 2021-së.

Telegrafi duke shfrytëzuar platformën “Flamujt e Kuq” në Prokurim Publik ka gjetur se Komuna e Prishtinës ka përdorur procedurën e poentim të çmimit dhe se projektimi i 1 metër rrugë është bërë për 1 cent.

Duhet theksuar që ky çmim është i poentuar, pasi komuna ka përdorë procedurën e poentimit të çmimit, por se edhe çmimi i papoentuar është shumë i ulët pra 1.97 euro, që do të thotë që nëse porositen të gjitha shërbimet nga një herë, kontraktuesi do të paguajë me këtë çmim.

Në këtë tender kanë aplikuar katër operatorë, por që është fituar grup N. SH. 3D Project dhe GEO & LAND SH. P. K..

Çmimi i kontratës prej 3 cent

Procedura e poentimit të çmimit përdoret në prokurimin publik për rastet kur autoriteti kontraktues “nuk e di” sasinë e artikujve që do të porosisë dhe për këtë qëllim secili artikull në listë të çmimeve e ka sasinë “1”. Gjatë zbatimit të kontratës porositë bëhen varësisht prej nevojave që dalin. Lista e çmimeve ndahet në disa kategori dhe secilës prej tyre iu jepet një peshë e caktuar në totalin prej 100 për qind. Pra, poentimi shërben vetëm për të vlerësuar ofertat, ndërsa kontrata zbatohet me çmimet për njësi.

Buxheti i paraparë nga Komuna e Prishtinë për këtë kontratë është 480 mijë është euro. Për vitin 2020 janë planifikuar 120 mijë euro, ku nga 180 mijë euro janë për vitet 2021 dhe 2022. Kontrata është lidhur me afat për përfundimit prej 36 muajve, por se në afatin tjetër thuhet se punët duhet të përfundojnë brenda 45 ditëve.

Për këtë tender, janë paraparë 25 shërbime, prej të cilave 20 prej tyre kanë çmim 1 cent, e pesë të tjera kanë çmim 10 cent, kurse shërbimi më i lartë është 60 cent.

Për shërbimin projektim i rrugëve urbane me gjerësi të ndryshme, nga 4 metra deri 30 metra çmimi i kontratës është 1 cent për metër gjatësi. Duke e llogaritur në kilometra atëherë i bie që autoriteti kontraktues të paguajë 10 euro për një kilometër projektim.

Çmimi i njëjtë është edhe për rrugët rurale me gjerësi nga 4 metra deri 12 metra. Çmim 1 cent do të paguhet edhe për hartimin e 1 metër kanalizim, gjithashtu me këtë çmim do të paguhet edhe hartimin e një metri të ndriçimit publik. Komuna e Prishtinës do të paguajë 1 cent për metër katror edhe për hartim të urave deri në 15 metra të gjata.

Shërbimet e parapara në kuadër të tenderit

Tri shërbimet e para në kontratë janë për regjistrime gjeodezike, për të cilat komuna do të paguajë për 10 cent, përkatësisht 23 cent dhe 60 cent. Dy shërbime tjera që nuk janë me çmim prej 1 cent janë për projektimin që lidhet me rikonstruimin e rrugëve, parqeve, trotuareve, parkingjeve, shesheve, etj., që për 1 metër katror çmimi është 40cent dhe projekti për shpronësim gjithashtu ka të njëjtin çmim.

99 për qind shërbim më i lirë se Komuna e Gjilanit

Në këtë vit edhe Komuna e Gjilanit ka lidhur kontratë për shërbime të njëjtë sikurse ajo Prishtinës. Në këtë kontratë, çmimi për projektim të 1 metri të një rruge urbane është 2.36 euro.

Gjilani për projektim të mureve mbrojtëse do të paguaj 11.80 euro për metër, kurse Prishtina për 1 cent.

Çmimet me të cilat ka lidhur kontratë, Komuna e Prishtinës nuk janë çmime të tregut dhe duhet të cilësohen si çmime jonormalisht të ulëta, sipas rregullave të prokurimit publik. Vetëm po të llogaritet një projektimi komplet i një rrugë që përfshin rrugën, kanalizimin, ndriçimin dhe buxheti prej 480 mijë euro atëherë mund të projektohen 16 mijë kilometra rrugë.

Asnjë rrugë urbane brenda qytetit nuk mund të projektohet pa trotuar e në shumë raste edhe rrugët rurale që janë brenda fshatit kanë trotuar.

Çmimi i dhënë prej 40 cent për 1 metër katror, i siguron kompanisë që për një metër rrugë të projektuar të paguhet 40 herë më shumë për trotuarin, e nëse trotuari projektohet që të jetë së paku 2 metra i gjerë, atëherë për një metër rrugë do të ketë dy metra katrorë trotuar e ku do të paguhet 80 herë më shumë.

Dy projektet e kaluara nga N. SH. 3D Project | Burimi: Prokurimi i Hapur

3D Project ka fituar edhe dy kontrata të njëjta në të kaluarën

Kompania N. SH. 3D Project e cila është anëtare e konsorciumit në tenderin e këtij viti, ka fituar edhe dy kontrata të njëjta në të kaluarën.

Njëra në vitin 2019, me çmim të poentuar të kontratës prej 8 cent dhe buxhet të paraparë prej 180 mijë euro, ndërsa tjetri është fituar në vitin 2017 më çmim të poentuar të kontratës prej 19 cent dhe buxhet të paraparë prej 200 për qind euro. Në tërësi që nga viti 2017, kjo kompani do të fitojë 860 mijë euro nëse realizohen kontratat në tërësi. /Telegrafi/

Ky artikull është botuar me mbështetje të Demokraci Plus. Përmbajtja e këtij shkrimi e autorit dhe nuk paraqet pikëpamjet e D+.