Komisioni parlamentar viziton AKI-në, fokus funksionimi dhe sfidat e sigurisë

Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka realizuar një vizitë pune në këtë institucion, në kuadër të ushtrimit të mandatit të tij kushtetues dhe ligjor për mbikëqyrje parlamentare.
Kjo vizitë shënon të parën e komisionit në kuadër të Legjislaturës X të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ka pasur karakter njoftues, me qëllim njohjen e drejtpërdrejtë me funksionimin dhe aktivitetet e AKI-së.
Gjatë takimit, drejtori, zëvendësdrejtori dhe inspektori i përgjithshëm i AKI-së kanë informuar anëtarët e komisionit mbi realizimin e mandatit ligjor të institucionit, sfidat aktuale me të cilat përballet si dhe prioritetet në fushën e sigurisë së përgjithshme të Republikës së Kosovës.
Vizita u vlerësua si pjesë e bashkëpunimit institucional dhe forcimit të mbikëqyrjes parlamentare mbi agjencinë e inteligjencës./Telegrafi.




















































