Kolumbia mban vendin e parë, Portugalia kalon si e dyta – mësojnë kundërshtarët e fazës eliminatore
Kolumbia dhe Portugalia kanë barazuar pa gola (0-0) në ndeshjen e fundit të Grupit, rezultat që u mjaftoi të dyja skuadrave për të siguruar kualifikimin në fazën eliminatore të Kupës së Botës 2026.
Ndeshja ishte e luftuar dhe me raste në të dyja anët, por asnjëra skuadër nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës.
Kolumbia krijoi rastet më të mira me Jhon Córdoba, i cili fillimisht goditi me kokë pak mbi portë, ndërsa më pas u ndal nga pritja e shkëlqyer e Diogo Costës pas një aksioni individual.

Në pjesën e dytë, Richard Ríos dhe Gustavo Puerta iu afruan golit, por tentativat e tyre përfunduan ngjitur me shtyllën.
Nga ana tjetër, Portugalia u bë e rrezikshme me Bruno Fernandes dhe João Félix, por Camilo Vargas ishte i sigurt në portën kolumbiane, duke ruajtur rrjetën të paprekur.
Kolumbianët e mbyllën grupin në vendin e parë me shtatë pikë, ndërsa Portugalia përfundoi e dyta me pesë pikë.

Me këtë rezultat, Kolumbia kalon në fazën e 1/16 së finales si fituese e grupit dhe do të përballet me Ganën, ndërsa Portugalia, si e dyta në grup, do të ketë përballë Kroacinë në një duel që pritet të jetë një nga më interesantët e fazës eliminatore. /Telegrafi/



































