Klubi anglez humbet tifozin e madh që ishte ndryshuar emrin: "Manchester United vdes në moshën 63 vjeç"

Një lajm i pazakontë ka ardhur sot nga Bullgaria dhe ka tërhequr vëmendjen e mediave sportive anembanë botës: një burrë i quajtur Manchester Zdravkov Levidzhov-United ka ndërruar jetë në moshën 63-vjeçare.
Portali bullgar Blitz raportoi se Levidzhov ishte një nga tifozët më të mëdhenj dhe më të përkushtuar të klubit anglez Manchester United.
Aq i lidhur ishte me skuadrën e tij të zemrës, saqë kishte vendosur të ndryshonte ligjërisht emrin, duke shtuar “Manchester United” në dokumentet zyrtare.

Vendimin për ta marrë këtë emër e kishte bërë pas finales legjendare të Ligës së Kampionëve më 1999, kur skuadra e Sir Alex Ferguson përmbysi Bayern Munichun në minutat e fundit dhe fitoi trofeun në mënyrë dramatike.
Sipas raportimeve, Levidzhov ishte një figurë e njohur në qytetin e tij për përkushtimin ekstrem ndaj klubit nga “Old Trafford”. Ai kishte tatuazhuar stemën e Manchester United në ballë – si simbol të dashurisë së tij të përjetshme për “Djajtë e Kuq”.
Fatkeqësisht, siç shkruan media bullgare, shkaku i vdekjes së tij ka qenë një atak i papritur në zemër.

Pavarësisht titullit të çuditshëm që disa portale vendase përdorën – “Manchester United ka vdekur në moshën 63-vjeçare” – bëhet fjalë, natyrisht, për tifozin bullgar dhe jo për klubin anglez, i cili është 147 vjeç dhe vazhdon të jetë ndër emrat më të njohur në futbollin botëror.
Historia e Manchester Levidzhov-United mbetet një nga shembujt më të pazakontë të dashurisë ekstreme për një klub futbolli. /Telegrafi/




















































