Kitaristi kryesor i “KISS”, Ace Frehley ndahet nga jeta në moshën 74-vjeçare

Ikona e “KISS”, Ace Frehley, ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare në Morristown, New Jersey, pasi pësoi një gjakderdhje të rëndë në tru që e la të lidhur me aparatura mbështetëse në jetë.
Familja e tij mori vendimin e dhimbshëm për t’i fikur ato pas disa ditësh pa përmirësim, sipas TMZ.
Mediet amerikane raportojnë se muzikanti ishte rrëzuar në studion e tij, duke goditur kokën, çka solli përkeqësimin e gjendjes.

Përfaqësuesja e tij konfirmoi se shëndeti i Frehley-t u përkeqësua ndjeshëm pas incidentit.
Pak ditë para vdekjes, ai kishte anuluar turneun e planifikuar, duke e quajtur vendimin “të vështirë” në një postim për fansat.

Në një deklaratë për Rolling Stone, familja u shpreh “plotësisht e shkatërruar dhe me zemër të thyer”, por falënderuese që arritën ta përcillnin në paqe. Ata thanë se kujtimi i tij “do të jetojë përgjithmonë përmes muzikës dhe shpirtit të tij të gjallë”.
Frehley ishte kitaristi kryesor dhe anëtar themelues i “KISS”, grup i cili u fut në Sallën e Famës së Rock & Roll në vitin 2014.
Ai njihej për stilin e tij të veçantë në skenë, me kitarë që lëshonin dritë e tym, dhe për hitet si “Shock Me”, “Cold Gin” e “Rocket Ride”.
Anëtarët e “KISS”, Paul Stanley dhe Gene Simmons, e quajtën atë “një ushtar të pazëvendësueshëm të rock-ut” dhe “pjesë të përjetshme të trashëgimisë së grupit”.
Përkujtimet për Ace-in u shpërndanë në mbarë botën, nga emra të mëdhenj të muzikës rock, të cilët e cilësuan atë si një frymëzim për breza të tërë kitaristësh. /Telegrafi/




















































