eksperti-banner

Kombëtarja e Kepit të Gjelbër vazhdon të jetë një nga surprizat më të mëdha dhe historitë më frymëzuese të Botërorit 2026. Debutuesit afrikanë kanë mahnitur botën e futbollit dhe tashmë ndodhen vetëm një hap larg kualifikimit historik në fazën me eliminim direkt.

Pas barazimit sensacional ndaj Spanjës në ndeshjen e pare, një rezultat që konsiderohet ndër befasitë më të mëdha në historinë e Kupës së Botës – “Peshkaqenët Blu” treguan edhe një herë karakterin e tyre duke ndalur në barazim 2-2 edhe Uruguain, dy herë kampion bote.


Skuadra nga arkipelagu me 10 ishuj në Oqeanin Atlantik, me një popullsi prej rreth 525 mijë banorësh, po dëshmon se nuk ndodhet rastësisht në skenën më të madhe të futbollit.

Përballë dy gjigantëve të futbollit botëror, Spanjës dhe Uruguait, ata jo vetëm që rezistuan, por luajtën futboll të guximshëm, sulmues dhe plot vetëbesim.

Momenti historik i ndeshjes erdhi kur Kevin Pina realizoi një supergol nga goditja e lirë prej rreth 30 metrash. Goditja e tij e fuqishme përshkoi murin mbrojtës uruguaian dhe përfundoi në rrjetë, duke ndezur festën në kryeqytetin Praia dhe në mbarë vendin.

Më vonë ishte Helio Varela ai që përfitoi nga një gabim në mbrojtjen kundërshtare, duke kaluar me qetësi portierin Fernando Muslera dhe duke shënuar golin e dytë për ekipin e tij.

Pavarësisht presionit të Uruguait, Kepi i Gjelbër tregoi disiplinë dhe organizim mbrojtës, duke ruajtur rezultatin dhe duke marrë një pikë të artë. Madje, në minutat e fundit, debutuesit vazhduan të kërkonin golin e fitores.

Ish-sulmuesi i Afrikës së Jugut, Benni McCarthy, u shpreh i impresionuar nga paraqitja e tyre.

“Kanë fituar respektin tim. Luajtën me guxim dhe personalitet. Nëse përmirësojnë vendimmarrjen në zonën e fundit, mund të bëjnë gjëra edhe më të mëdha”, deklaroi ai.

Ndërkohë, ish-mbrojtësi i Uellsit, Ashley Williams, e cilësoi sfidën si ndeshjen më argëtuese që ka komentuar në këtë Botëror.

Kualifikimi është më afër se kurrë

Pas dy barazimeve radhazi ndaj Spanjës dhe Uruguait, Kepi i Gjelbër renditet në vendin e tretë të Grupit H me dy pikë, po aq sa edhe Uruguai.

Në ndeshjen e fundit të grupit, ata do të përballen me Arabinë Saudite. Një fitore do t'u siguronte kualifikimin historik në fazën e 1/32-ave të finales.

Formati i ri i Botërorit me 48 skuadra i favorizon ekipet e vendeve të treta, pasi tetë nga 12 skuadrat e renditura të tretat më të mira kalojnë në fazën tjetër.

Nëse arrijnë të kualifikohen, Kepi i Gjelbër do të bëhet vetëm kombëtarja e tretë në histori që kalon grupet e Kupës së Botës duke qenë e renditur më poshtë se vendi i 60-të në renditjen FIFA, pas Nigerisë në vitin 1998 dhe Rusisë në vitin 2018.

Një ekip që ka fituar zemrat e tifozëve

Përtej rezultateve, ajo që ka bërë përshtypje është mënyra se si Kepi i Gjelbër po e shijon aventurën e tij të parë në Botëror.

Futbolli i tyre i hapur, energjia dhe mungesa e frikës ndaj emrave të mëdhenj kanë fituar admirimin e tifozëve neutralë.

“Historia e këtij ekipi vazhdon të shkruhet. Është një kënaqësi t’i shikosh”, tha ish-sulmuesja angleze Sue Smith.

Me dy ndeshje pa humbje në debutimin e tyre në Kupën e Botës, Kepi i Gjelbër është bërë skuadra e parë debutuese që mbetet e pamposhtur në dy ndeshjet e para të Botërorit që nga Senegali në vitin 2002.

Tani, e gjithë vëmendja është te përballja me Arabinë Saudite. Një tjetër rezultat pozitiv mund ta shndërrojë këtë përrallë futbolli në një kapitull të paharrueshëm të historisë së Kupës së Botës. /Telegrafi/

telegrafi sport app