KEK nënshkruan kontratë mbi 265 mijë euro për modernizimin e Termocentralit Kosova B


Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar dhënien e kontratës për realizimin e punëve që kanë të bëjnë me demontimin, furnizimin, montimin, lëshimin në punë dhe komisionimin e sistemit të monitorimit të vibrimeve, zgjatjeve diferenciale, zhvendosjeve aksiale dhe zhvendosjes absolute në Bllokun B1 dhe B2 të Termocentralit Kosova B.
Sipas njoftimit zyrtar, vlera e përgjithshme e kontratës është 265,712.40 euro, ndërsa në procesin e tenderimit kanë marrë pjesë tre operatorë ekonomikë.
Kontrata i është dhënë grupit të operatorëve ekonomikë Bionics Sh.P.K. dhe TURBOCOM d.o.o., me adresë në Prishtinë.

Data e dhënies së kontratës është 17 qershor 2026, ndërsa nënshkrimi i saj është planifikuar për 24 qershor 2026.
Sipas dokumentit, kontrata nuk parashihet të nënkontraktohet.
Projekti synon avancimin e sistemit të monitorimit dhe kontrollit të pajisjeve në njësitë prodhuese të Termocentralit Kosova B, duke kontribuar në rritjen e sigurisë dhe efikasitetit operacional të tyre.
Njoftimi është publikuar nga KEK në përputhje me dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/





































