Këngëtarja e njohur Katy Perry ka folur hapur për arsyen pse për vite me radhë e mbajti në hije emrin e saj të vërtetë dhe pse vendosi të krijojë një identitet artistik që, sipas saj, do ta mbronte.

Artistja ka lindur me emrin Katheryn Elizabeth Hudson, por zgjodhi të përdorte emrin skenik Katy Perry, jo vetëm si diferencim në industrinë e muzikës, por edhe si një mënyrë për t’u distancuar nga një e kaluar e vështirë dhe nga rritja e saj e rreptë.


Në një intervistë të mëparshme për The Guardian (2017), Perry ka shpjeguar se u rrit në një familje shumë fetare, pasi të dy prindërit e saj ishin pastorë pentekostalë. Ajo e përshkroi fëmijërinë si diçka prej së cilës kishte një dëshirë të fortë të “arratisej”, ndaj krijoi një lloj “personazhi” që ta përdorte si mburojë.

Foto: Instagram

“Shumë njerëz jetojnë me frikë për shkak të diçkaje që u ka ndodhur në fëmijëri, ose për shkak të një forme të PTSD-së që e kanë përjetuar gjatë jetës”, ka thënë ajo.

“Prandaj krijova këtë personazh të mrekullueshëm, Katy Perry, që në masë të madhe jam unë dhe ku mund të futem gjithmonë. Por e krijova për të mbrojtur veten”, shtoi këngëtarja.

Ajo pranoi se kishte frikë se publiku do ta shihte ndryshe po të prezantohej me identitetin e saj të vërtetë: “Kisha frikë se, nëse më shihnit si Katheryn Hudson – vajzën me shiritin në hundë për poret – do të mendonit: ‘Kjo s’është aspak glamuroze’”.

Perry tha se në thelb, vendimi për t’u “shndërruar” në Katy Perry lidhej me dëshirën për ta lënë pas të shkuarën dhe për t’i dëshmuar vetes (dhe botës) vlerën e saj.

“Në fakt, ajo që po thosha ishte: ‘Kam qenë e pakënaqur gjatë gjithë fëmijërisë sime dhe tani do t’i tregoj botës se ia vlej, se mund të arrij diçka dhe se jam e mjaftueshme’. Nuk doja të isha Katheryn Hudson. E urreja atë emër, më dukej shumë i frikshëm, prandaj vendosa të bëhesha dikush tjetër”, u shpreh ajo.

Foto: Instagram

Ndërkohë, në një moment që u komentua gjerësisht në publik, partneri i saj Orlando Bloom e prezantoi atë me emrin e saj të vërtetë gjatë VMAs 2024, kur ajo u nderua me çmimin MTV Video Vanguard Award.

“Ju u dashuruat me të si Katy Perry”, tha Bloom. “Ndërsa unë u dashurova me të si Katheryn Hudson. Ju e njihni si superstare globale… unë e njoh si nënë dhe partnere”. /Telegrafi/