LAJMI I FUNDIT:

Katër fe, një popull pagan!?

Katër fe, një popull pagan!?

Albanët, si fis ilir, përmenden në shekullin e I-rë nga Plini. Para se të përmendët ky etnonim për një popull, një trajtë e saj do të përdoret për të identifikuar një grup dualist heretik, të ndikuar nga maniheizmi. Për turqit fjala “arnaut” ishte sinonim i fjalës “i pafe”. Lakshman-Lepain thotë se koncepti i shpirtit është i huaj për shqiptarët, “të cilët madje nuk kanë term të saktë për ta përkthyer si duhet këtë fjalë”. Noli thoshte se shqiptarët janë paganë, Enveri ateistë, të tjerët materialistë… “Zoti ka vdekur. Dhe ne e kemi vrarë.”, thoshte Nietzsche. Por, ai nuk e vrau Zotin. Zotin e ka “vra” shqiptari.

Kosova u shpall shtet laik. Për disa fanatikë fetarë, laicizmi është vendim i gabuar, meqë ndarja e pushtetit politik nga ai fetar – sipas tyre – mund të ketë efekt negativ në moralin shoqëror. Të tjerët – shumica – që nuk mendojnë kështu, këtë vendim e analizojnë në kontekstin patriotik, të një uniteti që vë para interesin kombëtar e jo atë fetar.


“Shqiptaria”

“Feja e shqiptarit është shqiptaria”, ka thënë Pashko Vasa. Ky slogan romantik ishte i pranishëm në të gjitha lëvizjet shqiptare të bërjes dhe të ruajtjes së shtetit. Ithtari më i madh i këtij slogani ishte Enver Hoxha. Këtu ai e mbështeti idealin e tij për ateizëm.

Pashko Vasa u keqkuptua dhe u glorifikua nga Enver Hoxha, e ky keqkuptim – përderisa historia shqiptare nuk shënon ndonjë rast të një lufte të brendshme që bazën e ka në pikëpamjet fetare, dhe përderisa shqiptarët mburren për tolerancën ndërfetare – vazhdon edhe sot.

Mbijetesën dhe mirëqenien ekonomike shqiptarët e konceptonin gjithmonë me krijimin e shtetit kombëtar. Pikëpamja e tillë mund të haset edhe në mesjetë. Skënderbeu u lind ortodoks, u rrit si mysliman, vdiq katolik, por lufta e tij përtej principatës së trashëguar nga i ati, aleanca me princërit tjerë shqiptarë – katolikë dhe ortodoksë – ishin dëshmi e një lufte kombëtare që tejkalonte barrierat fetare.

Pashko Vasa e tha fjalinë e sipërpërmendur në kohën e dobësimit të pushtetit politik dhe ushtarak turk në Ballkan. Ndikimi negativ në lëvizjet e lodhëta nacionale shqiptare, mund të ushtrohej përmes institucioneve fetare. Këtë e bënte Turqia, po edhe të tjerët që në shekullin XIX kishin formuar shtetet e para nacionale në Ballkan (përjashtime bënte kleri bektashi, e edhe ai katolik).

“Shqiptaria” nuk ishte nocion që synonte të revidonte raportet ndërfetare shqiptare, por të shmangte ndasitë eventuale që mund të ndodhin në të ardhmen, në rast të mosrealizimit të idealit për formimin e shtetit shqiptar. “Shqiptaria” mbase ishte edhe mesazh që ua bënte me dije edhe të tjerëve se shqiptarët i bashkon kombi e jo feja.

Por, a janë shqiptarët vërtetë patriotë të mëdhenj, ideal ky për të cilin e anashkalojnë fenë, apo në pyetje është edhe diçka tjetër?

“Populli me tri fe, shumë letë e gjen edhe ndonjë Zot”. Kjo fjali mund të lexohet në internet, tek xenini.com. Tingëllon qesharake, dhe për të qeshur është edhe natyra e kësaj ueb-faqeje. Por, në kuptimin e saj ka diçka të vërtet, të ngjashme me atë që peshkopi Fan Noli e thotë te “Historia e Skënderbeut”: “Në orën e zezë të mjerimit, shqiptari hedh nga një grusht temjan në çdo altar të çdo perëndie që i ka dëgjuar emrin”!

I pafeu…!?

Kur flitet për fillet e fesë monoteiste shqiptare, studiuesi gjerman, Bernhard Tonnes, thotë se ishin 70 familje të krishtera në Durrës, në kohën e apostujve. Fillet e krishterimit në territorin e Ipeshkvisë Prizren-Shkup datojnë po ashtu nga kjo kohë. Në vitin 395, të ndarjes së Perandorisë Romake, trojet shqiptare ishin pjesë përbërëse të Perandorisë Lindore – Bizantit – por në aspektin kishtar të varura nga Roma. Gjatë Skizmës së Madhe të vitit 1054, shqiptarët e Jugut hynë në juridiksionin e Konstantinopojës, e ata të Veriut vazhdojnë të veprojnë nën juridiksionin e Romës. Kjo marrëveshje çekuilibrohet pas pushtimit otoman, kur 70 për qind e një popullate të krishterë konvertohet në fenë islame.

Studiuesit shqiptarë dhe të huaj përmendin – si shkak kryesor të përqafimit të fesë së re islame – përdorimin e forcës, diskriminimin ekonomik dhe fetar, kufizimin e lirisë individuale dhe të asaj kolektive. Por, meqë trajtime të tilla u bëheshin të gjithë të krishterëve në Ballkan, arsyet e konvertimit i gjejnë edhe te mungesa e klerit të shkolluar të krishterë, inatet e kota të besimtarëve me priftërinjtë, por mbi te gjitha te botëkuptimi materialist – ambiciet oportuniste të shqiptarëve për avancim në hierarkinë otomane dhe për pasurim.

Nëse i referohemi studimeve të fundit psikologjike në botë, konvertimi në religjionin tjetër, është rezultat i instalimit të një rrjeti të ri shoqëror, që shton nevojën e individit për të qenë pjesë e një grupi. Ata ballafaqohen me probleme të mëdha jetësore dhe, nga paaftësia apo pamundësia për t’i zgjidhur, kërkojnë identitet të ri fetar.

I tillë ka qenë edhe realiteti shqiptar, pas instalimit të pushtetit otoman. Shqiptari i varfër, me natyrë materialiste, konvertimin në religjionin e më të fortit e ka parë si rritje të vetëbesimit dhe të fuqisë, por jo si pjesë të identitet kombëtar. Këtë e dinin edhe turqit, për të cilët fjala “arnaut” (shqiptar) ishte sinonim i fjalës “i pafe”.

Shqiptari e “vrau” Zotin!

Idealja luan rol dytësor te shqiptarët. Këtë e pohon edhe historiania franceze, Rajwantee Lakshman-Lepain, në një studim të viteve të fundit. Koncepti i shpirtit është qendror si te feja e krishterë, ashtu edhe te ajo islame, por Lakshman-Lepain thotë se ky koncept është i huaj për shqiptarët, “të cilët madje nuk kanë term të saktë për ta përkthyer si duhet këtë fjalë”.

Në aspektin epistemologjik, njerëzit nuk mund ta njohin Zotin e as ta përcaktojnë ekzistencën e tij. Në aspektin filozofik dhe psikologjik, Ludwig Feurbach dhe Sigmund Freud thoshin se Zoti dhe feja janë zbulime të krijuara për të përmbushur nevojat psikologjike dhe emotive të njeriut. Të inspiruar nga puna e filozofit Feurbach, Karl Marx dhe Friedric Engels pohonin se besimi është veprim i përdorur nga pushteti për të shtypur klasën punëtore.

Konceptet e tilla i etablojnë më vonë të gjitha shtetet komuniste. Prandaj, më 1966, revista amerikane “Time” shtron pyetjen: “A ka vdekur Zoti”? Kjo dilemë ka të bëjë me kohën kur gati një në dy vetë të botës jetonin në sisteme antifetare komuniste, ndërsa qindra-miliona të tjerë në Afrikë, Azi dhe Amerikë Latine, në sistemet që nuk e njohin Zotin e krishterë. Teksti merr parasysh parimet filozofike për religjionin, që nga Soren Kierkegaard e deri te lëvizja teologjike “Vdekja e Zotit”, që mendonte se besimi në Zot, në kohët moderne, është i pamundur dhe i pakuptimtë.

Një vit pas këtij shkrimi, më 1967, i inspiruar nga Revolucioni Kulturor Kinez, Enver Hoxha e bën Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë. Më 1976, me Kushtetutën e re, Neni 37 nuk pranon asnjë fe, ndërsa Neni 55 i Kodit Penal të vitit 1977, i dënon aktivitetet fetare, madje edhe me vdekje.

“Zoti ka vdekur. Dhe ne e kemi vrarë.”, shkruante Friedrich Nietzsche te “Shkenca gazmore”. Kjo është një nga fjalitë më të cituara dhe më të keqkuptuara të tij. Por, ai nuk e vrau Zotin, sepse këtë për herë të parë dhe të fundit e bënë vetëm shqiptarët.

Heretizmi

Gjërat ndryshuan pas rënies së Murit të Berlinit më 1990. Grupet antifetare nisën të zvogëlohen. Timothy Shah, nga Qendra PEW, më 2006 ka shkruar se lëvizjet fetare po e shtojnë ndikimin karshi lëvizjeve laike dhe ideologjike. Ai mendon se demokracia po u jep ndikim më të madh politik liderëve fetarë, në atë që ai e quan “lëvizja profetike fetare”. Sipas tij, ka dështuar mendimi se pasuria, edukimi dhe liria politike do ta bëjnë botën laike. “Zoti po fiton në politikën globale. Modernizimi, demokratizimi dhe globalizimi vetëm se e kanë bërë më të fortë”, thotë ai.

Por, a vlen kjo edhe për shqiptarët?

Me siguri jo, përderisa religjioni gjatë tërë historisë shqiptare, nuk është konceptuar si pjesë e identitetit kombëtar. Materialja, idealja apo balancimi i të dyjave, varen nga gjendja materiale dhe psiko-emotive e shqiptarit. Të shumtën e herëve, dominon kjo e fundit – natyra dualiste – ngjashëm me atë që Roger Waters e thotë te kënga “It’s a Miracle”: “Nga hirësia e Zotit të Gjithëpushtetshëm, dhe presioneve të tregjeve, raca njerëzore e ka qytetëruar veten”. Rrënjët e këtij koncepti filozofik hasen edhe në të kaluarën fetare shqiptare, të mesjetës së hershme.

Albanët, si fis ilir, përmenden në shekullin e I-rë nga Plini, dhe në të dytin nga Ptolemeu. Para se të përmendët ky etnonim për një popull – nga Mihail Ataliati më 1042 dhe Ana Komnena më 1081 – një trajtë e saj do të përdoret për të identifikuar një grup dualist heretik, të ndikuar nga maniheizmi.

Mani (210-276), i lindur në Babiloni, nga prindërit iranianë, ishte themelues i maniheizmit. Ky ishte religjioni më i madh i mesjetës së hershme, madje rivali më i madh i krishterimit. Kur krishterimi bëhet religjion zyrtar i Perandorisë Romake, nis përndjekja e maniheistëve që kulmon më 1209 kur Papa Inocenti III shpall luftë totale kundër tyre. Maniheistët e fundit vdesin në shekullin XVI, në Kinë (neo-maniheistët e sotëm janë simpatizues, e jo trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të besimit të tij).

Mani e prezantonte veten si shpëtimtar dhe apostull të Jezu Krishtit. Në disa shkrime koptike, ai madje identifikohet me Shpirtin e Shenjt. Ai është edukuar dhe ka kombinuar doktrinat e mandenizmit, judaizmit, zaratustrianizmit, krishterimit, e më vonë edhe të budizmit, me bindjen se shpëtimi është i mundur përmes edukimit, vetëmohimit, vegjetarianizmit dhe dëlirësisë. Ai e shpall veten profet dhe trashëgimtarë të njerëzve të udhëhequr nga Zoti.

Dualizmi

Shumë nga mësimet e tij ndikuan në krishterimin, si ideja e natyrës së mirë dhe të keqe, ideja e Ferrit, ndarja e grupeve në të zgjedhur, dëgjues, mëkatarë, si dhe në refuzimin e akteve seksuale. Ndikimi i tij shihet edhe në islam. Mani thoshte se është trashëgimtar i Jezusit dhe profetëve tjerë, mësimet e të cilëve janë keqinterpretuar. Ai thoshte se është profeti i fundit dhe se kjo i është shfaqur nga një engjëll. Të njëjtën e thoshte edhe profeti Muhamed, sipas të cilit mësimet e profetëve të mëparshëm janë degjeneruar nga ndjekësit, në veçanti ata të krishterë.

Mani ishte dualist, dhe fliste për dy natyra të barabarta që ekzistonin që nga fillimi: drita dhe errësira. Mbretëria e dritës jeton në paqe, ndërsa e errësirës ishte në konflikt të përhershëm me veten. Universi është rezultat i përkohshëm i sulmit nga mbretëria e errësirës në mbretërinë e dritës. Ndërsa, njeriu është fushëbeteja e këtyre dy forcave. Pjesa e mirë është shpirti (i përbërë nga drita), dhe i keqi është trupi (i përbërë nga toka e errët). Shpirti është i paprishur, por nën dominimin e një fuqie tjetër. Njerëzit mund të shpëtojnë nga kjo fuqi, nëse e njohin veten dhe e identifikojnë veten me shpirtin.

Nën ndikimin e Manit ishin sektet më të mëdha heretike të mesjetës: paulicianët, katarët dhe bogomilët. Në këtë kategori futen edhe albanensët.

Në Enciklopedinë e Religjioneve, këta të fundit janë heretikët që kanë marrë emrin sipas dioqezës së Albit në Piemont. Por, Michael Heart thotë se heretikët e Albit janë patarenët. Ndërsa, sipas Enciklopedisë së Krishterë, të fillimit të shekullit XX, albanensët janë grup heretikësh që kanë jetuar në Shqipëri, rreth shekullit VIII.

Joshja për një besim dualist, nuk ka reshtur edhe në mesjetën e vonë. Nuk është vetëm identifikimi me jeniçerët që i joshi shqiptarët në religjionin e tyre bektashian. Haxhi Bekteshi (themeluesi i bektashizmit), si Mani dikur, kombinoi besime të ndryshme: islamin, krishterimin, judaizmin, budizmin dhe hinduizmin. Panteizmi, reinkarnimi, dashuria për të gjithë, Parajsa dhe Ferri në këtë botë, janë dëshmitë kryesore të këtij eklektizmi, që ua mundëson shqiptarëve të jenë herë materialistë, herë idealistë, herë dualistë, e herë asgjë.

“Katër besime të ndryshme, nuk kanë zënë rrugë në zemrën e një populli pagan”.

Kështu ka thënë Noli.

Nuk e ka pas të vështirë të vij në këtë konkludim. Mjafton t’i dëgjosh se si bëjnë be: në ujë, tokë, diell, bukë, dritë, ditë, coca-cola, fanta, limonadë e bozë…

E më së paku në Zot.

Në trend

Më shumë
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
U hodh në gjyq, Olsi Bylyku

U hodh në gjyq, Olsi Bylyku "godet" Top Channel: Ikonat si Arbana, Alban Dudushi iu larguan - gjersa kolegët në TV Klan kanë ndërtuar perandori

Magazina
Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Një takim mes Massimilianos dhe Heidit në Big Brother VIP Albania 3? Veprimi i ish-partnerit të saj në Grande Fratello ngre dyshimet

Magazina
Zbulohen detaje dhe pamje të vjedhjes nga grupi kriminal serb “Pink Panther” në një argjendari në Greqi – bie në sy një detaj

Zbulohen detaje dhe pamje të vjedhjes nga grupi kriminal serb “Pink Panther” në një argjendari në Greqi – bie në sy një detaj

Botë
Dua Lipa duket e lumtur në krahët e të dashurit të saj, ndërsa fotografohen bashkë në një darkë në New York City

Dua Lipa duket e lumtur në krahët e të dashurit të saj, ndërsa fotografohen bashkë në një darkë në New York City

Magazina
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Kalo në kategori