LAJMI I FUNDIT:

Kapet i shumëkërkuari për masakrën e Çoles në Vlorë, ruhej nga një person i armatosur

Kapet i shumëkërkuari për masakrën e Çoles në Vlorë, ruhej nga një person i armatosur

Një operacion i policisë së Vlorës në bashkëpunim me forcat “Shqiponja” kanë vënë në pranga një shtetas të shpallur kërkim për vrasjen e dy personave në vitin 2015.

Në pranga ka rënë shtetasi Ani Begaj, 27 vjeç, banues në Vlorë, i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Apelit Vlorë e ka dënuar me 35 vjet burgim për vrasje.


Ky shtetas, më datë 07.04.2015, në lagjen “24 Maji”, dyshohet se në bashkëpunim me tre shtetas të tjerë, ka vrarë me armë zjarri shtetasit F. V. dhe H. R., pas një konflikti për motive të dobëta, në atë që është cilësuar si masakra e Çoles.

27-vjeçari sipas policisë është arrestuar bashkë me një person tjetër, Elton Begaj, 26 vjeç që e ruante dhe e shoqëronte.

Masakra e Çoles ndodhi në prill të vitit 2015, kur pas një sherri në kazino mbetën të vrarë shtetasit Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj.

Policia arrestoi si autor të masakrës Aleksandër Llanaj dhe shpalli në kërkim Ani Begajn dhe Bertil Aliajn. Gjatë seancave të gjata, u dënua me burgim të përjetshëm Aleksandër Llanaj, ndërsa Ani Begaj dhe Bertil Aliaj u dënuan me nga 35 vjet burg në mungesë. /Telegrafi/