LAJMI I FUNDIT:

Kampioni i Kosovës shijon fitoren e parë në këtë kampionat

Kampioni i Kosovës shijon fitoren e parë në këtë kampionat

Feronikeli ka shënuar fitoren e parë në edicionin e sivjetmë të Superligës së Kosovës në futboll, duke mposhtur në shtëpi Trepçën ’89 me rezultat 4-1.

Kampioni i Kosovës më në fund ka treguar forcën e tyre të vërtetë.


Kjo pasi, pas dy humbjeve në ndeshjet e para, tani kanë shënuar fitore të thellë 4-1 ndaj skuadrës mitrovicase, Trepça ’89.

Nga fillimi i takimit u pa që djelmoshat e trajnerit Afrim Tovërlani kanë hyrë me seriozitet të madh për të arritur fitoren e parë.

Nuk vonoi shumë dhe erdhi goli i parë në minutën e 15-të, ku mesfushori Mentor Zhdrella realizoi një gol të bukur, duke kaluar Feronikelin në epërsi.

Luhej minuta e 24-të e takimit, kur skuadra nga Drenasi dyfishoi epërsinë me anë të sulmuesit Blerand Kurtishaj, i cili me një gol të bukur e ka detyruar për herë të dytë portierin Hajdini ta nxjerrë topin nga rrjeta.

Feronikeli shënoi edhe njëherë në minutën e 30-të me anë të Mendurim Hotit, duke shkuar në pushimin mes të dy pjesëve me një siguri të madhe.

Pjesa e dytë nisi me një lojë më të mirë të mitrovicasve, ku me anë të rezervistit Oto John ngushtuan epërsinë në 3-1, pas një super-goli të shënuar nga largësia.

Nuk vonoi shumë dhe Feronikeli gjeti edhe njëherë golin në minutën e 55-të, ku Behar Maliqi nga afërsia shënon me kokë, pas harkimit nga e djathta.

Deri në fund kishte edhe disa gjysmë-raste nga të dyja skuadrat, por portat mbetën të pa prekura dhe kështu Feronikeli shijoi fitoren e parë në këtë kampionat. /Telegrafi/