eksperti ad

Legjenda e futbollit gjerman, Oliver Kahn, ka refuzuar kritikat që, pas eliminimit të Gjermanisë nga Kupa e Botës 2026, janë përqendruar vetëm te e ardhmja e Julian Nagelsmannit.

Ish-portieri i Bayern Munichut dhe i kombëtares gjermane vlerëson se problemi shkon shumë më thellë sesa posti i trajnerit, duke theksuar se skuadrës i mungojnë lojtarët që marrin përgjegjësi në momentet më të vështira.


Në një postim në LinkedIn, Kahn hodhi poshtë debatin që fokusohet vetëm te trajneri.

“Debati për trajnerin e ardhshëm të kombëtares e humb thelbin e problemit”, shkroi ai.

Kahn kujtoi se tre trajnerë me filozofi krejtësisht të ndryshme – Joachim Low, Hansi Flick dhe Julian Nagelsmann, kanë dështuar në të njëjtën mënyrë: eliminim në fazën e grupeve në Botërorët 2018 dhe 2022, si dhe largim në 1/16 e finales në edicionin e këtij viti.

“Kur tre trajnerë me qasje të ndryshme dështojnë vazhdimisht në të njëjtën pikë, atëherë shkaku është shumë më i thellë”, u shpreh ai.

“Kur seria e penalltive shkoi në gjuajtjet shtesë, pashë Joshua Kimmichin duke kërkuar se kush do ta merrte përgjegjësinë për të gjuajtur. Për mua, ky ishte momenti që e shpjegon më së miri këtë eliminim. Një ekip i madh nuk kërkon vullnetarë në ato çaste. Ai ka lojtarë që kërkojnë vetë topin”.

Sipas ish-portierit, aftësia për të përballuar presionin maksimal nuk krijohet brenda natës, por ndërtohet gjatë gjithë karrierës.

“Aftësia për të vepruar nën presionin më të madh nuk është rastësi. Ajo zhvillohet ndër vite. Ata që, që në moshë të re, mësojnë të marrin vendime të vështira, të përballojnë gabimet dhe sërish të kërkojnë topin, zhvillojnë pikërisht atë cilësi që bën diferencën në turnetë e mëdhenj”.

“Ndërsa ata që nuk e kanë mësuar kurrë këtë, nuk mund ta fitojnë papritur vetëm sepse veshin fanellën e kombëtares”, përfundoi Kahn./Telegrafi/

telegrafi sport app