LAJMI I FUNDIT:

Kafshët shtëpiake, rreziku nga toksoplazmoza

Kafshët shtëpiake, rreziku nga toksoplazmoza

Dr. sci. Izet Sadiku
Infektolog

Toksoplazmoza është një sëmundje infektive, mjaft e përhapur, e çuditshme. Përveç faktit se një prej sëmundjeve ngjitëse më të zakonshme, në të shumtën e rasteve kalohet në mënyrë “të heshtur” pa shenja.


Burimi i infeksionit janë kafshët shtëpiake, kryesisht macet dhe sëmundja është më e rëndë nëse shfaqet te gratë shtatzëna.

Gjithë sekreti i kësaj sëmundje qëndron në dy gjëra. E para, ajo shfaqet në formën e një sëmundje tjetër. Dhe e dyta, sëmundja është shkak i një higjiene të dobët tek ushqimet, mos gatimi i mirë i mishit, etj.

Çfarë është sëmundja e toksoplazmozës?

Toksoplasmoza është një sëmundje infektive që shkaktohet nga një parazit, që është toksoplazma gondi i cili rritet brenda qelizave të gjitarëve dhe zogjve. Njeriu infektohet si gjatë jetës por edhe gjatë kohës që është akoma pa lindur, pra në kohën kur është në mitrën e nënës. Infeksioni mund të jetë primar që është akut, me ose pa shenja klinike. Por ekziston edhe infeksioni kronik, ose sekondar që shpesh është simptomatik, dmth, pa shenja. Pra, në këtë rast paraziti mbetet i fshehur në trupin tonë.

Si mund të transmetohet te njeriu?

Janë disa mënyra se si mund ta marrim këtë parazit. E para është marrja me anë të gëlltitjes së oocisteve. Kjo mund të merret me zarzavatet, me frutat të cilat janë të kontaminuara me feqet e maces ose me sekrecione të tjera të saj dhe të shpendëve. Cistet merren me anë të mishit të tymosur, pak të pjekur ose jo të gatuar plotësisht. Ndërkohë që trofozoidët merren me rrugë vertikale, nga nëna tek fëmija në kohën kur nëna është shtatzënë. Por tropozoidet merren edhe me transfuzion gjaku, me anë të transplantit të organeve, etj. Po ashtu kjo sëmundje mund të merret edhe duke prekur objekte të infektuara siç janë shiringat apo mjete të tjera.

Cilat janë shenjat e kësaj sëmundje?

Shenjat kryesore të kësaj sëmundje janë limfadeniti. Limfadeniti është inflamacion i gjëndrat të ndryshme që paraqiten në pjesë të ndryshme të trupit, në përgjithësi në qafë, nën sqetull, ose rrëzë kofshës, etj. Poashtu, mund të jenë sipërfaqësore ose të thella të cilat nuk preken. Gjëndrat janë me madhësi të ndryshme, mund të jenë sa një kokërr bizeleje deri edhe në madhësinë e një lajthie. Sipërfaqja e tyre mund të jetë e fortë ose elastike.

Shenjë tjetër veç rritjes së gjëndrave është edhe temperatura e lartë e cila luhatet nga 38 deri në 39 gradë. Një shenjë tjetër është edhe astenia (dobësim) që ndryshe njihet edhe si pafuqishmëria për të kryer një veprim. Shpesh mund të kemi edhe shenja të tjera si një zmadhim të shpretkës, por kjo është një shenjë jo e përhershme, por kalimtare. Poashtu, ka edhe veçori të tjera të cilat hasen gjatë analizave të gjakut.

Kjo sëmundje mund të prekë shumë organe. Një nga organet që mund të preket është truri ose më saktë sistemi nervor qendror. Kjo mund të shprehet në mënyra të ndryshme si me një meningjit ose me një encefalito-mielit. Evolucioni i kësaj forme është i shpejtë. Mund të shfaqet si një encefalopati, me turbullime psikike, me temperaturë, me konvulsione, me dhimbje koke, me çrregullimi nervore lokale, me paraliza të nervave të ndryshëm, me dëmtim të shikimit, si dhe, mund të shfaqet edhe me afazi. Në rastet kur është i shoqëruar me encefalit, prognoza është e keqe, pra, pacienti mund të vdesë dhe kjo është një formë shumë e shpejtë dhe shumë agresive.

Formë tjetër e shfaqjes së kësaj sëmundje është miokarditis; mund të preket zemra nga paraziti. Miokarditi mund të shfaqet me çrregullime të ritmit të zemrës.

Toksoplasmoza mund të prekë edhe mëlçinë që shfaqet në formën e hepatitit akut. Në rastin kur kjo sëmundje prek mushkërinë, në këtë rast kemi një pneumoni intersticiale, e cila dallon nga pneumonia me pneumocistis scarini, sepse kjo është tipike tek njerëzit që në të njëjtën kohë vuajnë edhe nga HIV/AIDS-i. Paraziti i kësaj sëmundje mund të prekë edhe sytë, gjë e cila shfaqet me hemorragji të vogla deri edhe në humbje të shikimit.

Një formë tjetër është forma kongjenitale. Kjo formë ka të bëjë me rastet kur paraziti prek një grua shtatzënë, dhe si rezultat mund të kemi abortin nëse prekja nga sëmundja ndodh në tremujorin e parë të shtatzënisë. Për këtë arsye organizmi e nxjerr jashtë fetusin duke shkaktuar abortin. Mund të ketë prekje në tremujorin e dytë dhe të tretë, dhe në këto raste prognoza është më e keqe. Në raste të tilla fetusi jeton por mund të ketë dëmtime të mëdha. Në rast se në tremujorin e parë organizmi nuk e mban këtë fetus, dmth kemi abort, në tremujorin e dytë ose të tretë organizmi e mban fetusin, por fëmija mund të lindë me dëmtime organike. Forma kongjenitale është rrjedhojë e transmetimit të kësaj sëmundje nga nëna shtatzënë tek fetusi i saj. Nuk ka rrezik nëse nëna është prekur nga kjo sëmundje gjashtë muaj para konceptimit të shtatzënisë. Në rast se infektimi ndodh më pak së gjashtë muaj para konceptimit të shtatzënisë, atëherë rreziku është më i madh. Kur infeksioni merret gjatë shtatzënisë, 1/3 e fëmijëve të këtyre nënave të infektuara preket nga toksoplazmoza. Sëmundja në fjalë mund të merret edhe gjatë dhënies së qumështit në rastet kur infeksioni është marrë javët e fundit të shtatzënisë. Në rastet kur fetusi preket nga sëmundja në fjalë gjatë tre mujorit të dytë dhe të tretë, fëmija mund të lindë edhe si prematurë, domethënë fëmija mund të lindë i pazhvilluar mirë, mund të lindë me lezione të pakta ose të shumta, mund të jetojë ose jo. Sa më e zhvilluar në afatin kohor të jetë shtatzënia aq më lehtë e kalon paraziti barrierën placetare. Kur shtatzënia është në fillim paraziti jep dëmtime të tilla si fetus i papajtueshëm me jetën çka bën të mundur abortin.

Një formë tjetër është prekja e të gjithë organeve që janë forma shumë të rënda ose ndryshe njihen si forma të gjeneralizuara. Kjo formë prek më shumë sistemin nervor qendror me prekje të likuorit dhe mund të japë një hidrocefaluse interne, një zmadhim të kokës për shkak të rritjes së presionit intrakranial, kjo formë shpesh qon në vdekje të fëmijës së sapolindur. Por një formë tjetër në të cilën mund të shfaqet kjo sëmundje është forma subakute, ose kronike, formë e cila haset më shpesh gjatë shtatzënisë. Shprehet si vuajtje e vazhdueshme neurologjike.

Si vendoset diagnoza?

Diagnoza diferenciale bëhet në klinikë. Më pas vjen verifikimi laboratorik. Në laborator është mirë që të bëhet biopsia e gjëndrës limfatike. Prania e antitrupthave IgM tregon për sëmundje aktive dhe e arrin nivelin më ë lartë në mes të javës 2-3 të sëmundjes, ndërsa IgG lajmërohet pas një jave dhe maksimumin e arrin në periudhën 2-12 mujore dhe mbetet e lartë disa vite. Gjithashtu ndihmon në vënien e diagnozës skaneri dhe rezonanca magnetike. Kjo behët më tepër tek format neurologjike për të parë dëmtimet që ndodhin në sistemin nervor qendror.

Mjekimi

Terapia e parë është simptomatike, dmth në fillim mjekohen shenjat. Më pas bëhet mjekimi i formave të veçanta si ai i korioretinitit. Për mjekim përdoret kjo terapi; Piremitaminë 1 g/kg të peshës trupore në 24 orë për 15 ditë, pastaj 0.5 g/kg brenda 24 orëve për 5 ditë tjera në kominibm me Sulfadiazinë 100 mg/kg për 24 orë në dy doza dhe acid folik. Edhe kjo më pas përshtatet sipas dozave përkatëse. Në mjekimin e tolsoplazmozës te shtatzënat përdoret rovacini në dozë3 g/24 orë gjatë gjithë shtatëzanisë. Për mjekimin e horioretinitis përdoren edhe kortikosterodiet ëm njekimin e sëmundjes.

Parandalimi

Duhet konsumuar ushqime të ziera me prejardhje shtazore dhe të kihet kujdes nga kontakti me jashtëqitje të maceve.

Ekzistojnë vaksina për mbrojtje të shtazëve nga toksoplazma gondii dhe është në përgatitje edhe vaksina për prevenimin e sëmundjes te njerëzit.

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori