Ylli i muzikës country, Kacey Musgraves, ka habitur fansat pasi anuloi në heshtje tre koncerte të ardhshme të turneut të saj “Middle of Nowhere”, përfshirë edhe shfaqjen që ishte planifikuar të shënonte nisjen e turneut.

Këngëtarja 37-vjeçare, fituese e çmimit Grammy, u dërgoi fansave njoftime përmes Ticketmaster, ku u bë e ditur se koncertet në Chicago më 20 gusht, Boston më 29 gusht dhe Brooklyn më 2 shtator nuk do të zhvillohen më.


Deri tani, Musgraves nuk ka dhënë një arsye publike për anulimet, shkruan DailyMail.

Turneu ishte planifikuar të niste në fund të gushtit dhe të përfshinte 25 qytete në Amerikën e Veriut, me 29 koncerte gjithsej, përpara se këngëtarja të udhëtonte drejt Australisë dhe më pas në Mbretërinë e Bashkuar.

Lajmi për anulimet ka shkaktuar reagime te fansat, të cilët kanë shprehur zhgënjim në rrjetet sociale dhe kanë kërkuar më shumë informacion.

Disa prej tyre kanë ngritur edhe dyshime për arsyet e vendimit, përfshirë mundësinë e shitjeve të biletave, por deri tani nuk ka asnjë konfirmim zyrtar.

Anulimet vijnë pak ditë pasi Kacey Musgraves publikoi videoklipin e ri për këngën “Mexico Honey”, ndërsa përgatitej për një nga turnetë më të mëdha të karrierës së saj. /Telegrafi/