Juventusi fiton garën për talentin e madh të Leverkusenit, do të paguajë afro 40 milionë euro

Juventusi është shumë pranë një përforcimi të rëndësishëm për të ardhmen, pasi ka arritur marrëveshje me Bayer Leverkusen për transferimin e talentit boshnjak, Kerim Alajbegovic.
Sipas “Sky Sports Deutschland”, “Zonja e Vjetër” ka rënë dakord të paguajë 33 milionë euro, plus shtatë milionë euro të tjera në formë bonusesh, për të siguruar shërbimet e 18-vjeçarit.
Lajmi u raportua fillimisht nga gazetari Patrick Berger, ndërsa më pas u konfirmua edhe nga Fabrizio Romano, i cili bëri të ditur se negociatat mes palëve kanë hyrë në fazën përfundimtare.
Ky zhvillim përbën një kthesë të papritur në të ardhmen e reprezentuesit të Bosnjë dhe Hercegovinës, i cili gjatë gjithë verës ishte në radarët e disa klubeve të mëdha evropiane. Bayer Leverkusen kërkonte 35 milionë euro plus bonuse, shifër që deri më tani nuk ishte pranuar nga asnjë klub.

Atalanta kishte qenë më afër transferimit, por u tërhoq pasi oferta e saj u refuzua. Ndërkohë, Chelsea raportohej se kishte avancuar bisedimet vetëm pak orë më parë, përpara se Juventusi të hynte fuqishëm në garë dhe të siguronte marrëveshjen.
Interesim për Alajbegovicin kishin shfaqur gjithashtu Milani, Napoli dhe Roma, ndërsa lojtari prej kohësh kishte shprehur dëshirën që hapi i tij i radhës në karrierë të ishte në Serie A.
Raportohet se ofensiva e Juventusit mund të ketë kaluar pa shumë vëmendje, pasi fokusi ishte te negociatat për sulmuesin e Paris Saint-Germainit, Randal Kolo Muani, si dhe te zhvillimet që lidhen me huazimin e Lois Opendas te Olympique Lyonnais.
Alajbegovic mbush 19 vjeç në muajin shtator dhe sezonin e kaluar, gjatë huazimit te RB Salzburg, zhvilloi 44 ndeshje në të gjitha garat, duke realizuar 13 gola dhe katër asistime./Telegrafi/












































