LAJMI I FUNDIT:

Joveski thirrje prokurorëve: Votojeni kandidatin që ka programin më të mirë

Joveski thirrje prokurorëve: Votojeni kandidatin që ka programin më të mirë

Prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Lubomir Joveski, u dërgoi mesazh prokurorëve publikë lidhur me votimin për prokurorin themelor publik të Prokurorisë Themelore Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, kumtoi Prokuroria Publike.

“Më 7 nëntor zbatohet votimi për zgjedhjen e prokurorit themelor publik të Prokurorisë Themelore Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Për herë të parë, sipas Ligjit të ri për prokurorinë publike, zgjedhja e prokurorit themelor publik të asaj prokurorie bëhet me votimin e të gjithë prokurorëve publikë në vend. Kjo mënyrë e zgjedhjes ju jep mundësi direkt me votën tuaj të ndikoni për përmirësimin e situatës në Prokurorinë Publike. Prokuroria themelore publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit është pjesë e rëndësishme e strukturës së prokurorisë, ndërsa funksioni i njeriut të parë të kësaj prokurorie është i fuqishëm, por edhe shumë i përgjegjshëm”, theksoi Joveski.


Ai përkujtoi se për përzgjedhje janë paraqitur katër prokurorë publikë.

“Dua t’ju ftoj të gjithëve lirshëm dhe pa ndikime dhe presione përreth ta jepni votën tuaj për atë kandidat që ka program dhe vizion më të mirë për funksionimin e ardhshëm të Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Besoj se secili nga ju individualisht do të dijë të bëjë zgjedhjen e duhur dhe të gjithë së bashku si prokurorë publikë do të tregojmë se kemi një qëllim të qartë për një organizatë të pavarur dhe të fortë të prokurorisë publike”, thotë Joveski në mesazhin drejtuar prokurorëve publikë.