Jose Mourinho me objektiv të qartë, synon ta shndërrojë Arda Gulerin në “Ozilin e ri”

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, synon ta ndërtojë skuadrën e tij rreth Arda Gulerit, duke i dhënë një rol të ngjashëm me atë që kishte Mesut Ozil gjatë periudhës së parë të portugezit në “Santiago Bernabeu”, raporton Mundo Deportivo.
Sipas mediumit spanjoll, krahasimet mes Gulerit dhe Ozilit kanë ekzistuar që nga transferimi i turkut nga Fenerbahce në verën e vitit 2023. Përveç prejardhjes së përbashkët, të dy njihen për vizionin në lojë, pasimet vendimtare dhe aftësinë për të krijuar raste shënimi.
Mourinho besohet se e sheh Gulerin si lojtarin ideal për të marrë rolin që dikur e kishte Ozil, me synimin për ta bërë organizatorin kryesor të lojës së Real Madridit.
Raporti shton se trajneri portugez dëshiron të shfrytëzojë edhe bashkëpunimin që Guleri ka krijuar me Kylian Mbappen, i cili konsiderohet figura kryesore e sulmit madrilen. Ideja është që turku të furnizojë francezin me pasime vendimtare, njësoj siç Ozil bënte dikur me Cristiano Ronaldon.

Megjithëse Guler ka luajtur në disa pozicione që nga mbërritja te Real Madridi, Mourinho synon t'i japë një rol të qartë dhe të qëndrueshëm në formacion.
Një tjetër faktor në favor të 21-vjeçarit është fakti se Turqia u eliminua herët nga Kupa e Botës, duke i mundësuar atij të bashkohet më herët me skuadrën për fazën përgatitore. Kjo do t'i japë Mourinhos më shumë kohë për të punuar me të dhe për ta përshtatur në sistemin e tij.
Tek Real Madridi besohet se sezoni përgatitor do të jetë vendimtar për të kuptuar nëse Guleri mund të shndërrohet në "Mesut Ozil 2.0" nën drejtimin e Mourinhos./Telegrafi/











































