Javën që lamë pas, Joe Biden u certifikua si president i ShBA-së. Bidenit ia certifikuan 306 vota elektorale, karshi 232 sa i kishte presidenti i deritashëm Donald Trump.

Për ne, shqiptarët, fitorja e mikut të madh Biden është e një rëndësie të veçantë, sepse askush më mirë se ai nuk na njeh.

Lufta e shqiptarëve për liri dhe pavarësi u mbështet fuqishëm nga Bideni. Për herë të parë ai e vizitoi Kosovën më 1997. Por, para kësaj, më 1991 ishte në Beograd ku ka takuar Shllobodan Milosheviqin.

Për këtë takim, Biden është shprehur kështu: “Në vizitën time të parë në Serbi, ku kisha një takim të gjatë me Milosheviqin, kur ai më pyeti se çfarë mendoj për të, i thash: Zotëri president, mendoj se jeni kriminel lute dhe se duhet të trajtoheni si i tillë.”

Si senator, Biden kohë kërkonte nisjen e negociatave, që Kosovës t’i rikthehej autonomia e humbur. Por, masakrat dhe gjenocidi serb ndaj shqiptarëve në luftën e fundit, bënë që Biden, bashkë me vendimarrësit tjerë amerikan, të jetë ndër vendimtarët  që nisën rezolutën që i lejonte presidentit amerikan të niste sulmet mbi caqet policore dhe ushtarake serbe. Më 24 mars 1999 nisën sulmet e NATO-s që do t’ia sjellin Kosovës lirinë.

Një vit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 21 maj 2009, Joe Biden, në cilësinë e zëvendësresidentit të ShBA-së, vjen për vizitë zyrtare në Kosovë. Atëherë e kishte një porosi të fuqishme për shqiptarët, se pavarësia e Kosovës ishte e pakthyeshme. Me 16 gusht 2016 vjen përsëri në Kosovë. Një ditë pas arritjes, bashkë me familjen e tij merr pjesë në inaugurimin e rrugës që mban emrin e djalit tij të ndjerë, Beau Biden, i cili kishte ndërruar jetë me 6 janar të vitit 2015. Beau Biden kishte punuar në Kosovë, pas luftës, duke ndihmuar në trajnimin e prokurorëve dhe të gjykatësve vendas.

Gjatë fushatës së tij, Bideni shpalosi një program për Kosovën dhe bisedimet e saj me Serbinë, duke e rikthyer edhe njëherë sytë e Amerikës kah Ballkani.

Mikut tonë Joe Biden i urojmë fitoren, duke i dëshiruar mandat të suksesshëm.

Në Kanun thuhet se shtëpia është e mikut dhe Zotit. Andaj, Joe Biden do të kujtohet përherë si një mik i madh i shqiptarëve që ka ndihmuar në kauzën tonë për liri, për paqe e për pavarësi.