ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë kontrolleve rutinore në Pikën e Kalimit Kufitar Hani i Elezit janë zbuluar mall me natyrë komerciale dhe 29,900 euro para të gatshme të padeklaruara.

Sipas njoftimit, automjeti me targa të Maqedonisë së Veriut është përzgjedhur për kontroll bazuar në analizën e riskut dhe procedurat standarde. Fillimisht, drejtuesi kishte deklaruar se nuk posedonte as mall dhe as mjete monetare për deklarim.


“Gjatë kontrollit fizik të automjetit është konstatuar një sasi malli me natyrë komerciale, e cila nuk ishte deklaruar pranë autoriteteve doganore. Po ashtu, gjatë kontrollit të drejtuesit të automjetit dhe pasagjerit janë gjetur 29,900 euro në para të gatshme, të cilat gjithashtu nuk ishin deklaruar”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Autoriteti rikujtoi se legjislacioni në fuqi obligon deklarimin e mallrave dhe të mjeteve monetare mbi pragun e përcaktuar me ligj.

“Çdo person që hyn ose del nga Republika e Kosovës me 10,000 euro ose më shumë, ose kundërvlerën e tyre në valuta të tjera apo instrumente të negociueshme, është i obliguar t'i deklarojë ato tek autoritetet doganore”, thekson Dogana.

Sipas njoftimit, në këtë rast janë sekuestruar malli i padeklaruar, mjetet monetare dhe automjeti, ndërsa ndaj palës do të zhvillohen procedurat ligjore përkatëse.

“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, mbrojtjen e kufijve doganorë të Republikës së Kosovës, luftimin e tregtisë së paligjshme, kontrabandës dhe parandalimin e pastrimit të parave”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/