Inter Miami CF ka njoftuar se trajneri Javier Mascherano ka vendosur të largohet nga posti i tij për arsye personale, duke i dhënë fund periudhës si kryetrajner.

Në mesazhin e lamtumirës, Mascherano falënderoi klubin për besimin, stafin dhe sidomos lojtarët për momentet e paharrueshme, si dhe tifozët dhe “La Familia”, duke theksuar se do ta mbajë gjithmonë në kujtesë “yllin e parë” të fituar me Inter Miamin.


Pronari menaxhues, Jorge Mas, u shpreh se Mascherano do të mbetet përgjithmonë pjesë e historisë së klubit, duke e vlerësuar për kontributin në fitimin e MLS Cup dhe për shembullin e përkushtimit në punën e përditshme, teksa i uroi suksese në të ardhmen personale dhe profesionale.


Në sezonin e tij të parë si trajner, Mascherano e udhëhoqi Inter Miamin drejt një prej kampanjave më të suksesshme në historinë e klubit, duke fituar dy trofe të mëdhenj, përfshirë MLS Cup-in e parë të klubit dhe titullin e Konferencës Lindore, si dhe duke regjistruar një sezon rekord në vitin 2025 me 101 gola në total (sezon i rregullt dhe “playoff”) dhe 58 ndeshje në të gjitha garat.

Në arenën ndërkombëtare, Inter Miami bëri histori në Botërorin e Klubeve 2025, duke u bërë skuadra e parë e MLS që arriti në fazën me eliminim direkt.

Për ndeshjet e ardhshme, drejtimin e ekipit të parë do ta marrë Guillermo Hoyos. /Telegrafi/

telegrafi sport app