Javier Bardem komenton krizën e emigrantëve mes Spanjës dhe Marokut: E dimë kush përfiton, Izraeli dhe e djathta ekstreme

Aktori spanjoll, Javier Bardem, ka reaguar lidhur me krizën e emigrantëve mes Spanjës dhe Marokut, duke ndarë në rrjetet sociale disa deklarata ku pretendon se nga situata po përfitojnë Izraeli dhe e djathta ekstreme.
Bardem iu referua zhvillimeve në kufirin mes Marokut dhe Ceutës, enklavës spanjolle në Afrikën e Veriut, duke shkruar se mbetet e paqartë se kush e ka shkaktuar krizën, por sipas tij dihet se kush përfiton nga një Spanjë e dobësuar dhe e destabilizuar.
“Nuk e dimë kush e krijoi këtë krizë, por e dimë kush përfiton nga një Spanjë e dobësuar dhe e destabilizuar: Izraeli dhe e djathta ekstreme perëndimore, e cila mezi pret ta përdorë migrimin si armë kundër myslimanëve”, shkroi aktori.

Në postimet e tij, Bardem përmendi gjithashtu Yair Netanyahu, djalin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, duke pretenduar se ai kishte bërë thirrje për “çlirimin” e Ceutës dhe Melillës nga arabët dhe myslimanët, si dhe kishte kërcënuar të mbështeste financiarisht organizata që do të ndërmerrnin veprime të tilla, si reagim ndaj qëndrimit të Spanjës për Palestinën.
Aktori ndau edhe një tjetër postim ku lidhej situata në Ceuta me vizitën e kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez në Algjeri muajin e kaluar, e para e tij në katër vite.
“Nuk do të ishte hera e parë që Maroku përdor emigrantët për të shantazhuar politikisht Spanjën”, citohet të ketë deklaruar Bardem. /Telegrafi/


















































