Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit ka përshëndetur vendimin e Republikës së Kosovës për të shpallur Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) si organizatë terroriste.

Në një reagim zyrtar, Ministria e Jashtme izraelite e ka cilësuar këtë hap si të rëndësishëm në kuadër të luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar.


“E mirëpresim njoftimin e Republikës së Kosovës për shpalljen e IRGC-së organizatë terroriste. Bota duhet të bashkohet në luftën kundër regjimit terrorist të Iranit.” thuhet në deklaratën e tyre.

Reagimi i Izraelit vjen pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ta përfshirë IRGC-në në listën e organizatave terroriste, një masë që Prishtina e ka arsyetuar si pjesë e angazhimeve të saj për siguri dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Kryeministri Albin Kurti tha se “përmes këtij vendimi, Kosova e forcon qëndrimin e saj në mbrojtjen e sigurisë ndërkombëtare, vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut”.

“Ky është rreshtim i qartë i Kosovës përkrah aleatëve të vet strategjikë në luftën e përbashkët kundër terrorizmit”, theksoi Kurti.

Ai e përshkroi IRGC-në si “strukturë që e përdor terrorizmin dhe dhunën e organizuar si instrument të politikës së jashtme, duke kontribuuar në destabilizimin rajonal dhe global”.

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit është krahu ideologjik i ushtrisë së Teheranit dhe u krijua pas revolucionit të vitit 1979 për ta mbrojtur udhëheqjen klerikale.

Garda kontrollon ose zotëron kompani në gjithë ekonominë iraniane, përfshirë sektorë strategjikë kryesorë.

Disa vende tashmë e kanë shpallur organizatë terroriste IRGC-në, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rishtazi, Bashkimi Evropian e shpalli atë si terroriste pasi Teherani i shtypi në mënyrë brutale protestat antiqeveritare në fillim të këtij viti.

Organizatat për të drejtat e njeriut kanë thënë se mbi 6.000 njerëz u vranë gjatë protestave në Iran./Telegrafi.