LAJMI I FUNDIT:

Ish-punëtorët e KEDS-it kërkojnë kthimin në punë, përplasen me policinë

Ish-punëtorët e KEDS-it kërkojnë kthimin në punë, përplasen me policinë

Punëtorët e larguar nga KEDS-i, kanë protestuar të martën para zyrave të kësaj kompanie duke kërkuar kthimin në vendet e punës, prej nga u larguan rreth dy vjet më parë.

Bordi i KEDS-it nuk respektoi urdhrin nga Gjykata që t’i ftojë në punë brenda 3 ditëve, më datë 23 nëntor 2018, kur edhe e mori këtë urdhër për t’i kthyer ata në punë.

Për pakënaqësitë e tyre këta punëtorë patën përplasje me policët e Kosovës.

Kryetari i Sindikatës të Punëtorëve të KEDS-it, Hysni Gashi ka thënë se kërkojnë nga menaxhmenti që ta respektojnë vendimin e Gjykatës.“Kërkojmë nga menaxhmenti i KEDS-it që këta 78 punëtorë që po presin jashtë kësaj ndërtese të kthehen në vendin e tyre pasi që gjykata themelore në shkallën e dytë ka vendosë që ti kthej këta punëtorë”, tha ai , raporton Ekonomia Online.

Rashit Gashi, ish-punëtorë i KEDS-it, tha se Gjykata ka marrë vendimin tash e dy vjet por menaxhmenti nuk po e respekton. “Na qe dy vite kemi marrë të gjitha vendimet për ti kthyer këta punëtorë në punë. Këtë vendim bordi i menaxhmentit nuk e ka respektuar”, tha ai.

Kurse sindikalisti Fehmi Pajaziti, ka thënë se punëtorët janë larguar padrejtësisht. Ai shpreson që prej nesër punëtorët të jenë në vendet e tyre të punës.

“Këta punëtor janë larguar padrejtësisht. Është një moment i cili përbën një urdhëresë të prerë nga gjykata e apelit për kthimin e këtyre punëtorëve në vendin e tyre të punës. Shpresoj që nesër të jemi të gjithë në vendin tonë të punës i cili na takon. I bëj ftesë institucioneve të Kosovës t’i bëjnë presion menaxhmentit të KEDS-it që ky vendim të implementohet dhe ne të kthehemi në punë”, tha ai.

Protesta e tyre erdhi pasi KEDS-i nuk ka respektuar vendimin e Gjykatës që punëtorët të kthehen në vendin e tyre të punës për tre ditë. 95 punëtorë janë larguar para dy viteve nga puna pa ndonjë paralajmërim, disa prej tyre kanë bërë marrëveshje dhe kanë pranuar disa rroga. Por, 78 të tjerë jo e për këta Gjykata Themelore në Prishtinë më 20 nëntor pati dhënë urdhër për përmbarim në afat prej tri ditësh për t’u rikthyer në vendin e punës. /Telegrafi/