Ish-kryeministri italian, Enrico Letta, ka shkaktuar debat të madh në Itali pasi kërkoi që Alessandro Bastoni të mos ftohet më në Kombëtaren e Italisë, pas episodit kontrovers në ndeshjen mes Inter dhe Juventus.

Interi triumfoi 3-2 në “San Siro”, duke thelluar diferencën në krye të Serie A.


Ndeshja ishte e mbushur me emocione: autogoli i Andrea Cambiasos i dha epërsinë zikaltërve, por mbrojtësi bardhezi barazoi më pas.

Në pjesën e dytë, Pio Esposito riktheu avantazhin për Interin, ndërsa Manuel Locatelli barazoi për Juventusin. Golin vendimtar e realizoi Piotr Zielinski në minutën e 90-të, duke vulosur fitoren e skuadrës së drejtuar nga Cristian Chivu.

Megjithatë, momenti që ndryshoi rrjedhën e takimit ishte kartoni i kuq i Pierre Kalulu në minutën e 42-të.


Mbrojtësi i Juventusit u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë pasi Bastoni u rrëzua në zonë, duke sinjalizuar se ishte tërhequr për fanelle.

Gjyqtari Federico La Penna e ndëshkoi Kalulun, ndërsa VAR-i nuk mund të ndërhynte në vendime për kartonë të verdhë.

Episodi ka nxitur reagime të ashpra në Itali, me shumë që e kanë cilësuar veprimin e Bastonit si simulim.

Reagimi më i fortë erdhi nga Enrico Letta, i cili përmes rrjeteve sociale shkroi: “Bastoni nuk duhet të thirret në ekipin kombëtar”.


Bastoni është një lojtar kyç për Italinë dhe një përjashtim i mundshëm do të ishte një vendim i madh, sidomos në një moment kur “Azzurrët” ende nuk e kanë siguruar kualifikimin për Kupën e Botës 2026.

Italia do të përballet me Irlandën e Veriut në fazën eliminatore dhe më pas mund të ndeshet me Uellsin ose Bosnjën në raundin përfundimtar të kualifikimeve. /Telegrafi/

telegrafi sport app