Inter thuhet se ka rifilluar bisedimet me përfaqësuesit e Christopher Nkunku pas refuzimit të ofertës së fundit nga Atalanta për Ademola Lookman. 

Zikaltërit e kanë rikthyer interesimin për sulmuesin e Chelseat, Nkunku, pasi Atalanta ka refuzuar ofertën prej 45 milionë eurosh (përfshirë bonuse) për Lookman. 


‘La Dea’ ka vendosur çmimin e sulmuesit në 50 milionë euro, dhe megjithëse Lookman po insiston të transferohet në ‘Giuseppe Meazza’, Atalanta nuk është e gatshme të ulë kërkesën financiare. 

Sipas disa burimeve në Itali, Nkunku është alternativa kryesore e Interit në rast se dështon marrëveshja me Lookman, dhe sipas Calciomercato.com, drejtuesit e klubit italian kanë hapur bisedimet paraprake me përfaqësuesit e lojtarit francez në orët e fundit. 

La Gazzetta dello Sport konfirmon se Nkunku është objektivi kryesor nëse nuk finalizohet transferimi i Lookman, por edhe Chelsea është në pritje të ofertave për sulmuesin francez. 

Një pengesë për Interin mund të jetë paga e lartë e Nkunku prej 6.5 milionë eurosh në vit, krahasuar me marrëveshjen e dakorduar prej 4.5 milionë eurosh në vit që Lookman është pajtuar të nënshkruajë me klubin italian./Telegrafi/

telegrafi sport app