LAJMI I FUNDIT:

Integriteti i individit në shoqëri

Integriteti i individit në shoqëri

Nga: Saranda Krasniqi

Individi në shoqërinë moderne përballet me sfida të ndry­shme përgjatë jetës. Të jetosh sipas rregullave të shoqërisë do të thotë ta humbësh identitetin dhe integritetin personal, ndërsa po dole nga rregullat e saj patjetër do të përballesh me pasojat e kësaj shoqërie e cila aq sa e ka në qendër individin, aq edhe ia cenon privatësinë e ndjenjave dhe sjelljeve. Kjo shoqëri pret që individi vazhdimisht të jetojë sipas kutit të vendosur nga ajo, ndërsa po veproi ndryshe ai gjykohet dhe dënohet pa më të voglin dyshim, e dënimet janë të rënda, por që disa individë, edhe kur dënohen, jetojnë të lumtur dhe me dinjitet duke mbrojtur të vërtetën e tyre.


Shkrimtarët që trajtojnë këtë temë janë të shumtë, por në këtë tekst do t’i studiojmë: romanin “I huaji” i Albert Kamysë dhe romanin “I humburi” i Fatos Kongolit.

Romani “I huaji” i shkrimtarit Albert Kamy, pavarësisht që është botuar në vitin 1942, është aktual edhe sot e kësaj dite, për temat e shumta që trajton e që në qendër të tyre është individi në shoqërinë moderne dhe standardet që shoqëria ka vënë për këtë individ.

Sipas studiuesit Matei Calinescu, “vështirësia e këtij qën­drimi vjen nga mbrojtja e status quosë, e cila pengon imagji­natën e njeriut modern për ndryshim”.[1]

Kamy në këtë roman paraqet një shoqëri e cila ka pritje të mëdha për individin duke i imponuar atij jo vetëm rregulla në bazë të të cilave ai duhet të operojë në përditshmëri, por edhe t’ia imponojë atij mënyrën se si duhet të ndihet karshi të tjerëve, por edhe në raport me veten dhe familjarët e tij.

Merso, protagonist i romanit, sa është personazh absurd, aq është edhe përfaqësues i individit i cili thotë të vërtetën dhe e mbron deri në fund këtë të vërtetë, duke mos iu nënshtruar rregullave të shoqërisë në të cilën jeton. Ai nuk nënshtrohet as atëherë kur ka mundësi që t’i ikë dënimit nëse pendohet për veprën e kryer dhe ta pranojë fajin, të cilin ai nuk e ndien vetëm, por vetëm që t’i përmbush pritjet e shoqërisë, sepse kjo do të thoshte ta sakrifikonte të vërtetën e tij dhe ta humbte integritetin personal dhe të drejtën për të jetuar dhe menduar ashtu siç ai dëshiron. Ai është i ndërgjegjshëm për veprimet dhe ndjenjat e tij dhe këto i mbron deri në fund, pavarësisht që në sytë e të tjerëve ai duket një monstër që nuk ndien asgjë.

“A ka shprehur keqardhje? Kurrë, zotërinj. As edhe një herë gjatë hetimeve ky njeri nuk u duk i mallëngjyer nga krimi i tij i shëmtuar… Sigurisht, unë nuk mund të mos pranoja se ai kishte të drejtë. Unë nuk isha penduar shumë për veprimin tim. Do të kisha dashur të provoja t’i shpjegoja përzemërsisht, thuajse me dashuri se unë kurrë s’isha penduar me të vërtetë për ndonjë gjë”.[2]

Merso është personifikim i njeriut modern i cili gjithnjë e më shumë po humbet ndjenjat ndaj çdo gjëje dhe çdokujt. Ai nuk ndien dhimbje për nënën e vdekur, nuk ndien as dhimbje e as pendim për vrasjen që kryen dhe këto vihen në pah më së miri gjatë gjykimit të tij. Merso është produkt i kësaj shoqërie, e cila edhe e dënon sepse nuk dëshiron ta shohë zvetënimin e plotë që i ka bërë individit të saj. Ndërsa shkrimtari përmes personazhit të tij dëshiron të theksojë pikërisht këtë fakt, që shoqëria po prodhon individë të zvetënuar, por që individi edhe atëherë kur revoltohet e përjashtohet duhet ta thotë të vërtetën e tij dhe ta mbrojë atë sepse kështu mbron identitetin dhe integritetin e tij.

“‘I huaji’, paraqet një filozofi të humanizmit, një filozofi të përqendruar në integritetin njerëzor në veçanti. Ky integritet është koncept i krijuar nga marrëdhënia e njeriut me botën, një marrëdhënie e karakterizuar nga përvoja konkrete, është një lloj integriteti që lufton diktatin e shumicës. Është një fuqi për të dominuar vetë e për të mos u dominuar nga të tjerët”[3] – thekson studiuesi Fides Bernando Bitaga.

Studiues të ndryshëm Merson e shohin si njeri pa ndjenja, i cili duhet të dënohet dhe të asgjësohet, ndërsa është edhe një grup i studiuesve të cilët mendojnë se Merso paraqet individin i cili e mbron deri në fund të vërtetën e tij dhe kjo shkakton tek të tjerët irritim sepse atij nuk i intereson se çfarë mendojnë të tjerët për të.

“Ai është ai që është. Ai është ajo çfarë ai ndien. Ai i mbron gjërat dhe çështjet në të cilat beson. Ai thotë ‘jo’ për gjërat që nuk i pëlqen. Nëse ai ka gjumë pranë trupit të vdekur të së ëmës, ai do të flejë. Ai nuk di dhe nuk do të duket mirë para të tjerëve, duke gënjyer”.[4]

Kamy përmes këtij romani paraqet konceptin e integritetit individual i cili duhet të mbrohet deri në fund edhe atëherë kur shoqëria nuk pajtohet me këtë. Merso dënohet jo pse ka vrarë një njeri, por pse nuk ndien dhimbje për vdekjen e së ëmës, krejt kjo sepse shoqëria i përcakton rregullat morale dhe shoqërore edhe atëherë kur ato janë tërësisht personale. Kamy jep mesazhin se një person është i moralshëm dhe me inte­gritet kur mbron deri në fund të vërtetën e tij edhe atëherë kur në sytë e shoqërisë ai është i pamoralshëm dhe pa integritet.

Derisa Kamy në romanin e vet ka paraqitur shoqërinë evro­­­piane pas Luftës së Dytë Botërore, Kongoli në romanin “I humburi” shoqërinë shqiptare të kohës së komunizmit dhe të demokracisë në Shqipëri, kohë të cilën shkrimtari e ka jetuar dhe e njeh mirë. Të dy këta shkrimtarë në thelb të krijimtarisë së vet kanë fatin e individit në shoqërinë moderne dhe të njëjtën e paraqesin nga per­spektiva të ndryshme, duke e bërë veprën e tyre shumë­dimensionale. Si Merso, edhe Thesar Lumi është prota­gonist në vepër dhe unik në të menduar e në të vep­ruar. Ai mbron dinjitetin deri në fund duke mos u bërë pjesë e shoqërisë së lartë të cilën e urren. Lumi sikurse Merso e ka në dorë biletën për të dalë nga mjerimi, por nuk e përdor. Ai nuk ndërmerr asnjë veprim për ta ndryshuar gjendjen në të cilën ndodhet. Këtu qëndrojnë forca dhe papërkulshmëria e tij. Ai i ka pranuar rrethanat në të cilat gjendet, pavarësisht prej absurditetit të tyre dhe kjo i jep avantazh në krahasim me të tjerët, sepse jeton sipas rregullave të vendosura nga vetë ai. Ai në mes të ikjes dhe përballjes me realitetin pëlqen të qën­drojë në vend sepse e di që nuk do të ndihet i përmbushur dhe i lirë, por duke qëndruar apatik në vend, sfidon shoqërinë. Lumi është i vetëdijshëm për pozitën e vet dhe për pamun­dësinë e individit që t’i përmbushë të gjitha kërkesat e shoqë­risë, duke arritur kështu në zvetënimin e plotë të individit kur, në fakt, misioni i saj është pikërisht e kundërta, t’ua japë individëve hapësirën e plotë për të jetuar siç duan.

“Ndaj të ngrysur, u ktheva në qytezë. Ashtu si largimi edhe mbërritja ime nuk ra në sy. Syrgjyni i Dorian Kamberit familjarisht u mor vesh të nesërmen. Komentet për këtë nuk zgjatën shumë. Dikush e shau, dikush e mburri, dikush e pati zili”.[5]

Thesar Lumi sikurse Merso nuk pranon t’u nënshtrohet dogmave të shoqërisë, qofshin ato ligjore apo fetare, duke mbrojtur kështu integritetin e vet personal si dhe të vërtetën e tij edhe atëherë kur nga shoqëria cilësohet si parazit dhe pi alkool gjithë ditën. Alkooli sa është mjet për ikjen nga realiteti, aq është mjet për t’u revoltuar ndaj rrethit ku jeton.

“Me gjithë sasinë e konjakut të pirë, qyteza sikur vazhdonte të bënte gjumin e vdekjes. Më hipi edhe një herë të dilja në qendër e ta vija ulërimën: “Bashkëqytetarë të nderuar, zgjohuni! Që sot e tutje jeni qytetarë të lirë, mund të bridhni nga të doni e kur të doni. Liria e shumëpritur erdhi dhe tani mund të arratiseni nga toka, deti dhe ajri. Kurrkush s’do t’ju quajë tradhtarë, kurrkush s’do t’ju cilësojë huliganë. Drejtësia sociale ngadhënjeu”.[6]

Thesar Lumi sikurse Merso në rininë e vet ka provuar të jetojë sipas rregullave të shoqërisë, por shpejt dorëzohet sepse sheh që shoqëria shtyp të drejtën e mendimit dhe vendimeve personale dhe kështu fillon dhe jeton jashtë orbitës së saj të veprimit duke i qëndruar vetes besnik deri në fund, që e bën individ me integritet të lartë njerëzor edhe atëherë kur push­teti ia mbyt dëshirën për të jetuar. Kongoli thekson se këtë nuk e ka bërë vetëm komunizmi, por edhe demokracia, si sistem i cili duhet ta ketë në qendër individin dhe fatin e tij brenda shoqërisë.

“Personazhet e Kongolit nuk interesohen për veten dhe pozitën e tyre, në këtë këndvështrim ata përcjellin vetëm ngjarjet e përditshme dhe presin fatin pasi që e dinë se është e kotë të ndërmarrin diçka. Fati i tyre është i vulosur”.[7]

Kamy dhe Kongoli përmes protagonistëve të veprave të tyre paraqesin një shoqëri e cila individit nuk i jep hapësirë për të jetuar me dinjitet dhe moral sipas së vërtetës së tyre, por që ai të pranohet si i tillë nga shoqëria patjetër duhet të sillet sipas standardeve të vendosura nga ajo, standarde këto që pjesëtarët e saj i bëjnë të palumtur.

Thesar Lumi, duke mos pranuar të bëhet spiun i pushtetit, zbulon se nuk është në gjendje ta marrë as jetën e vet, por as të dikujt tjetër.

“U ktheva nga kisha ardhur pa zgjidhur këtë enigmë. Dhe bëra zbulimin e madh të jetës: nuk isha i zoti ta përdorja thikën. Siç nuk isha i zoti të vrisja veten, po ashtu nuk isha i zoti të shuaja jetën e një tjetri. Këtë pazotësi e ndjeva teksa largohesha nga dera e hekurt e Lidhjes së Shkrimtarëve, ku Sytë e Bardhë ndoshta më prisnin për marrëveshje”.[8]

Përmes këtij rrëfimi Kongoli tërheq paralele ndërmjet siste­mit dhe individit, duke vënë në pah pushtetin johuman të kohës së komunizmit i cili ka mbretëruar në Shqipëri dhe shpir­­tin human të individit i cili, pavarësisht vështirësive që i krijohen në përditshmëri nga ky sistem, nuk është i aftë të marrë jetë edhe atëherë kur është i vetëdijshëm për pasojat. Lumi nuk pranon me asnjë kusht ta humbë shpirtin e vet. Ai pranon ta vuajë dënimin që i cakton shoqëria/sistemi, por nuk pranon ta tradhtojë vetveten.

“Ndjeva se këtej e tutje do të lëvrija midis jetës dhe vdekjes, as në jetë, as në vdekje, as i gjallë, as i vdekur. Kisha humbur në një anonimat të pashpresë duke lënë prapa një të kaluar që pikonte helm, një të ardhme përpara, ndaj së cilës isha mospërfillës”.[9]

Romani “I huaji” i Kamysë dhe “I humburi” i Kongolit, pavarësisht se të shkruar në periudha të ndryshme kohore, bartin të njëjtin mesazh për shoqërinë, duke treguar se shoqëria me standardet e saj vazhdimisht po ngulfat individin duke krijuar gjithnjë e më shumë individë pasivë dhe të paaftë për t’u përshtatur me këto standarde. Shoqëria nuk duhet t’i përjashtojë individët që nuk pajtohen me këto standarde sepse ata kanë të drejtën e plotë të jetojnë sipas rregullave të tyre. /Revista “Akademia”/

_______________________
[1] Matei Calinescu, Pesë fytyrat e modernitetit, Dituria, Tiranë, 2012, f. 77
[2] Albert Kamy, I huaji, Koha ditore, Prishtinë, 2005, f. 78
[3] Fides Bernardo A. Bitaga, Human Integrity in Albert Camus “The Stranger” and Its Relevance, Asian Educational Research Association, Volume – IV, 2014, f. 4
[4] K.Gnanasekaram, Psychological Interpretation of the novel The Stranger by Albert Camus, International Journal of English Literature and Culture. Vol. 2, No. 6, pp. 73-86, (2014), Academic Research Journals
[5] Fatos Kongoli, I humburi, Koha ditore, Prishtinë, 2005, f. 6
[6] Po aty f. 25
[7] Valbona Gashi-Berisha, Fenomeni i ëndrrës në veprën e Fatos Kongolit, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare, Prishtinë, 2009, f. 344
[8] Po aty f. 142
[9] Po aty f. 138