LAJMI I FUNDIT:

Instituti GAP: Grave në Kosovë nuk iu besohen pozitat drejtuese

Instituti GAP: Grave në Kosovë nuk iu besohen pozitat drejtuese

Vajzat dhe gratë në Kosovë janë të interesuara për shkollim dhe punësim po aq sa djemtë dhe burrat, megjithatë, shkalla e punësimit të tyre, sidomos në pozita të larta udhëheqëse, mbetet shumë e ulët në krahasim me burrat.

Kështu thuhet në raportin “Punësimi dhe përfaqësimi i grave në Kosovë”, të prezantuar nga Instituti GAP, i cili tregon në mënyrë statistikore pozitën e gruas në punësim, arsim dhe mirëqenie sociale.


Sipas GAP, këto dallime janë më të shprehura sidomos në nivelin qendror. Deri në ditën e dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, vetëm 10 për qind e posteve të larta drejtuese si ministra, zëvendësministra, sekretarë të përgjithshëm, menaxhoheshin nga gratë. Edhe në pozitat drejtuese në administratën komunale përfaqësimi i grave mbetet mjaft i ulët me vetëm 20 për qind, përcjell Telegrafi.

Përveç në pozita drejtuese, në përgjithësi, shkalla e grave të punësuara mbetet më e ulët se e burrave. Përderisa shkalla e papunësisë tek burrat ishte 22.8 për qind apo 6.3 pikë përqindje më e ulët se në vitin 2018, shkalla e papunësisë tek gratë ishte 32.7 për qind apo 2.1 pikë përqindje më e lartë se në vitin 2018.

Pra, përderisa papunësia tek burrat ka shënuar rënie, tek gratë ka ndodhur e kundërta. E në anën tjetër, interesimi i grave për të gjetur një vend pune është gati i të njëjtit nivel me atë të burrave.

Numri i burrave punëkërkues të regjistruar në Agjencinë e Punësimit, në vitin 2019 ishte 52,343, kurse numri i grave punëkërkuese të regjistruara në agjencinë e punësimit ishte 43,547.

Për më tepër, mbi 6,700 punëkërkuese gra i kishin të përfunduara studimet bachelor, që është numër më i lartë se sa numri i burrave punëkërkues me të njëjtin profil.

Ky është raporti i tretë vjetor përmes të cilit, në mënyrë statistikore Instituti GAP synon të vë në pah dallimet e përfaqësimit të grave në tregun e punës, në arsim dhe mirëqenie sociale. /Telegrafi/