LAJMI I FUNDIT:

Inflacioni me trende rritëse në Eurozonë

Inflacioni me trende rritëse në Eurozonë

Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, tha se hendeku në produktivitet në Eurozonë mund të jetë më i madh se sa vlerësohej më parë dhe kjo mund të ngadalësojë rritjen e inflacionit.

Megjithatë, faktorët që po ngadalësojnë rritjen e çmimeve do të zbehen, ndërkohë që rritja ekonomike do të vazhdojë dhe lidhja mes rritjes dhe inflacionit nuk është prishur ende, pavarësisht dobësimit të këtij korrelacioni në vitet e fundit.


Komentet e Draghit tregojnë se BQE-ja ka ende besim se inflacioni ndodhet në trend rritës, duke mbështetur pritshmëritë e publikut se banka do të përfundojë programin e blerjes në treg të hapur këtë vit.

“Duke marrë parasysh pasigurinë në lidhje me nivelin e ngërçit në produktivitet, presionet në çmime mund të ngadalësohen. Megjithatë, këto faktorë pritet të zbehen ndërkohë që ekspansioni i ekonomisë do të vazhdojë dhe papunësia do të bjerë”, tha Draghi.

Anëtari i bordit të institucionit në Frankfurt, Benoit Coure tha se banka ka mjaftueshëm tituj borxhi për të mbajtur kostot e huamarrjes të ulëta, gjë që u interpretua nga investitorët si një përgatitje për ndalimin e këtij programi. Programi i blerjes se titujve të borxhit prej 2.55 trilionë euro, i nisur 3 vite më parë për të luftuar deflacionin, ka patur për qëllim uljen kostove të huamarrjes, në mënyrë që të nxiten shpenzimet dhe investimet, duke arritur edhe objektivin final të bankës që është rritja e inflacionit.

Duke përsëritur mesazhin standard të bankës mbi politikat, Draghi tha se vrulli i ekonomisë së Eurozonës ka shtuar besimin e tij për inflacionin, por duhet ende durim në sferën politike. Sipas tij, rritja e inflacionit varet ende ndaj stimujve të BQE, ndërsa luhatja në tregjet financiarë, kryesisht fuqizimi i euros, përbëjnë burim shqetësimi dhe duan monitorim. /Telegrafi/