LAJMI I FUNDIT:

Inatin nuk ua solla, e gjeta në mesin tuaj!

Inatin nuk ua solla, e gjeta në mesin tuaj!
Ilustrim

Sa herë është përkujtuar fjalia “Lirinë në ua solla unë …” që Skënderbeu gjoja paska thënë kur ka arritur në Krujë? E thonë e shkruajnë shumë njerëz këtë fjali, por nuk e thonë tjetrën fjali që mbase e ka thënë, po atë ditë kur kishte parë inatet e moçme të cilat i kishte gjetur ashtu siç i kishte lënë …

Ziu kishte vuajtur shumë derisa kreu shkollën normale. Shumë here kishte udhëtuar edhe nga tridhjetë kilometra deri në shkollë. Mori një banesë bashkë me tre shokë. Në atë dhomë ku flinin, përgatisnin edhe ushqimin. Ai ishte në mesin e nxënësve më të mirë


Asokohe komuna ndante edhe ndonjë bursë për nxënësit e shkollave të mesme, por ato zakonisht iu shkonin fëmijëve të pushtetarëve. Ziu as që ëndërronte bursë. Kreu me mundime dy vjet të shkollës normale. Ishin lodhur edhe familja edhe ai. Në orën e Edukatës muzikore nuk mund të merrte pjesë pa mandolinë. Një mandolinë kushtonte aq sa një ka i zgjedhës. Ashtu iu kishte treguar Ziu prindërve të tij. Ata menjëherë kishin shitur në treg njërin ka të zgjedhës dhe ia kishin blerë mandolinën.

Nga tridhjetekatër shokë të klasës së Ziut që ishin në vitin e dytë, deri në fund të shkollimit mbeten vetëm shtatë nxënës.

Po të mos e kujtonte profesorin e matematikës, Idrizin, tregimi për Ziun dhe shkollimin e tij do të dilte i mangët. Atë ditë që mbaroi klasën e dytë me sukses të shkëlqyeshëm, mori dëftesën me gjysmë gëzimi. Ishte i vetëdijshëm se edhe tri vjet duhen shumë shpenzime. Teksa po rrinte mendueshëm nën hije të blirit, fare pranë shkollës, as që kishte imagjinuar që në oborr po e priste profesori i matematikës.

Shokët e klasës ikën një nga një drejt shtëpive të tyre. Nga hija e blirit ku qëndronte Ziu, dalja nga oborri i shkollës nuk e qonte andej ku po priste profesori. Sapo doli në rrugë, profesori që po e priste pikërisht nga ajo anë, e thirri me zë. Ziu u afrua! As që kishte menduar ndonjëherë se një profesor po mendonte edhe për vështirësitë e një nxënësi të tij.

– Ti duhet të konkurrosh për bursë sepse e ke gjendjen ekonomike të vështirë për t’u shkolluar, i tha profesori. Ziu u befasua!

– Komuna tash ndan disa bursa dhe duhet të konkurrosh, i tha profesori i matematikës. Duhet të shkruash një Lutje me shkrim në letër! Të bësh një kopje të dëftesës që ke mbaruar klasën e dytë, dhe një certifikatë të lindjes. Ndoshta e kërkojnë edhe certifikatën e gjendjes ekonomike! Për një çast profesori ia mori Ziut nga dora dëftesën e notave, dhe e shikoi mirë. Ti Zio, patjetër duhet të dërgosh një lutje me dokumente të nevojshme për bursë.

Asokohe nuk kishte fotokopjues. Dëftesa duhej përshkruar shkronjë për shkronjë në tri kopje me makinë shkrimi, dhe pastaj bashkë me origjinalin duhej të shkonte në zyrën përkatëse në komunë për të vërtetuar kopjen. Profesori e udhëzoi Ziun që të shkonte në komunë dhe të kërkonte nga shërbimi përkatës që t’ia përshkruanin dëftesën.

Ziu shkoi menjëherë në zyrën e komunës, por askush nuk e priti brenda, e lëre më t’i kryente punë. Shpejt u kthye në oborrin e shkollës. Profesori po e priste akoma para dere. Ziu i tregoi se nuk kishte kryer punë. Pa një pa dy, profesori Idriz ia mori letrat nga dora dhe hyri në shkollë. Atje i përshkroi të gjitha dokumentet e duhura me makinën e Sekretarit të shkollës dhe të dy bashkë shkuan në Komunë. Atje i vërtetuan dokumentet dhe u informuan edhe për dokumentet e nevojshme. I kompletoi dokumentet Ziu dhe shkoi në shtëpi. Iu tregoi prindërve. Ata as që mund të gëzoheshin sadopak, pasi e dinin se me hyqymet është zor. Nëna e Ziut, iu drejtua të shoqit invalid. Duhet të shkosh për djalin në komunë. Mujziu me dy kërraba të nesërmen udhëtoi këmbë njëzetë kilometra deri në komunë. Aty kishte takuar vet kryetarin e komunës.

– Nuk pati kah shmanget ai, pasi isha në korridor afër zyrës, kishte treguar plaku. I thash; ja dokumentet e djalit. Nëse nuk ia jepni bursën ai humbë shkollën. I mori me përtesë dokumentet vet kryetari dhe erdhi me mua deri në zyrën përkatëse.   Ziu priste me pak shpresë a do t’i ndahet bursa! Kaluan tre muaj dhe tek atëherë komisioni kishte vendosur kujt i ndahet bursa. Ziut iu nda bursa. Ai do merrte para aq sa mund të mbulonte shpenzimet më elementare gjatë shkollimit në Mitrovicë.

Ziu vazhdoi shkollimin edhe për tri vjet.

Erdhi dita dhe u bë mësues. Donte me çdo kusht të punonte diku në ndonjë shkollë fillore afër vendlindjes prej nga mund të udhëtonte këmbë çdo ditë, pa ndonjë shpenzim shtesë. I dërgoi dokumentet me kërkesë për punë në shkollën e fshatit. Drejtori shqiptar vendoste gjithçka por edhe pleqësia e arsimtarëve të shkollës, sipas rregullores, mund të vendoste ndonjë herë më ndryshe. Kështu Pleqësia e arsimtarëve të shkollës kishte vendosur që Ziu të pranohet në punë. Ziun e njoftuan me kohë. U gëzua gjithë familja.

U mbajt mbledhja e parë e këshillit të arsimtarëve. Ziut nuk ia kishin ndarë një klasë për punë, por i dhanë dy lëndë për klasat e larta të fillores për të plotësuar normën e orëve të mësimit. Ai do të jepte mësim në dy shkolla të ndara për të plotësuar normën mujore.

Mendonte se do të punonte ashtu siç kishte mësuar në shkollë. Pa kaluar gjysmë vjetori i parë, u mbajt mbledhja e Lidhjes së komunistëve të kolektivit.

Sa ishte në shkollën normale, partia kishte vendosur që të pranonte anëtarë të rinj të gjithë nxënësit e dalluar në mësime. Për një javë ua kishin përgatitur librezat dhe ashtu ua kishin dorëzuar nëpër klasë. Ziu, tash që ishte duke punuar mësues, nuk i kishte treguar askujt që ka librezë partie . Në mbledhjen e partisë në shkollë kishin biseduar për pranimin e Ziut në parti. Kur kishte mbaruar gjysmë vjetori, drejtori e thirri ziun në zyre.

Organizata jonë e partisë të ka propozuar që ti Zijo të pranohesh komunist.

Ziut nuk i kishte mbetur më shtegdalje pa treguar që edhe ai ka librezën e partisë.

– Edhe unë e kam një këso libreze i tha drejtorit.

-Atëherë eja në mbledhje i tha drejtori.

Vjegëzat e moçme funksiononin edhe në shkollë, por Ziu as që kishte ide për këto marifete të partisë.

Askush që ka punuar në Zezë kurrë nuk ka kuptuar çfarë shkolle kishte mbaruar drejtori. Pas njëzet vjetësh me drejtor serb, shkolla tash kishte drejtor shqiptar. Siç kuptoi Ziu më vonë, drejtori po vijonte njëfarë shkolle për të cilën nuk dinte askush. Organizata e lidhjes komuniste në kolektiv kishte sekretar një mësues me shkollë fillore të kraljit serb. Ziu as që kishte menduar se çka do të përjetonte e kuptonte për të parën herë në punë.

Filloi të punonte me elan të madh. Me pagën e parë mujore gëzoi me rroba të reja nënën e babin. Bile babit i bleu edhe një orë muri. Përditë e më shumë, familja e tij po këndellej. Pas katër muajsh bleu me kredi edhe televizor. Në fshat kishte rrymë elektrike, por rrjeti ishte aq i dobët sa nuk kalonte një mbrëmje që të shoh diçka në TV. Një pagë mujore asokohe kishte vlerë të madhe. Fshatarët kryesisht merreshin me bujqësi e blegtori.

Në shkollën amë punonte tri ditë, ndërsa tri ditë tjera udhëtonte në shkollën tjetër në një fshat tjetër. Shkolla amë kishte edhe dy shkolla që pritej të pavarësoheshin, pasi kishin numër të madh nxënësish. Krejt këto nuk kishin asnjë rëndësi për komitetin e partisë. As që i kishte shkuar mendja mësuesit të ri se si funksiononin lidhjet e moçme fisnore e miqësore.

Numri i nxënësve ishte shtuar në të gjitha shkollat. Ishte bërë plani për pavarësimin e dy shkollave nga ajo amë.

Në njërën shkollë, flitej se drejtor do të bëhet Zeçua, një mësues i mirë me shumë vite përvojë. Flitej tinëz se ai e donte Shqipërinë. Kishte edhe disa mësues të tjerë edhe një arsimtar me shkollë të lartë, tepër i urtë. As këto nuk kishin rëndësi për komitetin e partisë me inate të zeza autoktone. Pa kaluar tre muaj, në shkollën e ndarë ku pritej të emërohej drejtor Zeçua, erdhi kryetari i komitetit komunal bashkë me komandantin e policisë dhe rojtarin e pyllit (shumarin). Sekretari i partisë thirri mbledhjen e degës së LK në shkollë.

Po Maziu që ishte bërë gati të merrte pozitën e drejtorit ishte edhe sekretar i degës së partisë në shkollën që akoma llogaritej paralele e ndarë e shkollës qendrore..

Maziu e hapi mbledhjen dhe i përshëndeti mysafirët nga komuna.

As që kishte imagjinuar Ziu çka do të flitej aty. Kjo ishte hera e parë që po merrte pjesë në një mbledhje të partisë.

Që në fjalinë e parë Maziu akuzoi mësuesin Zeço!

– Mësuesi Zeço, përveç shumë dobësive që ka shfaqur në punë, ai e do Shqipërinë, tha Maziu!

Ziu hapi sy e vesh se çka paska ndodhë me Zequan! Gjithë kolektivi e çmonte shumë Zeçuan, dhe ai vlerësohej mësuesi më i mirë në shkollë. Maziu në vazhdim ia lidhi edhe njëqind fjali të zeza Zeçuas.

– Ky mësues, tha Maziu, më nuk mund të punojë në shkollë, sepse i indoktrinon edhe nxënësit. Aty për aty mësuesin Zeço e larguan së pari nga partia. Menjëherë pasoi edhe largim i tij nga puna në shkollë.

Ziu vetëm po shikonte. Kurrë në jetë nuk kishte menduar që do shoh diçka të tillë në shkollë.

Që nga ajo ditë, Maziu mori detyrën e drejtorit të shkollës që po pavarësohej. Pa kaluar viti, shkolla u bë e pavarur me drejtor Maziun.

Po në shkollën amë gjendja ishte edhe ma zi. Drejtori nuk merrej vetëm me vëzhgimin e punës së mësuesve dhe kush po e donë Shqipërinë, por ai punonte edhe me inati.

Dyli, arsimtar i historisë, ishte cak i drejtorit për përjashtim. Gjithçka ishte përgatitur, por Ziu akoma nuk kishte kuptuar asgjë se çka zihej brenda shkollës, krejt me inati të njëri tjetrit.

Edhe aty u mbajt mbledhja e partisë. Foli sekretari, por më shumë foli drejtori kundër Dylit. Gjithë ata që merrnin pjesë në mbledhje, as që guxonin ta hapnin gojën. Ishte rrezik për secilin që kundërshton drejtorin.

Dylin e përjashtuan nga partia. Ai e kishte të shoqen mësuese me kontratë njëvjeçare. Filloi viti tjetër shkollor. Manja e shoqja e Dylit, mësuese, më nuk vinte në shkollë, megjithëse nuk e kishte më larg se 300 metra nga shtëpia. Në klasën e parë ishin regjistruar 120 nxënës.

Mësuesja Razije punonte me 120 nxënës. Nuk bënte zë e gjora! Pasi ishte akoma vjeshtë, orët e mësimit shumë herë i mbante në natyrë. Nuk kishte klasë që i zënë 120 nxënës e aq më pak mund të punonte vetëm një mësuese me të gjithë ata.

Drejtori me shkollën sekrete, nuk lejoi që Manja të punonte, vetëm pse ishte e shoqja e Dylit.

E larguan Dylin edhe nga puna. Një arsimtar i diplomuar i historisë me të shoqen me shkollë normale mbeten pa punë.

Kështu punohej në shkollë. Asnjëherë nuk kishte qetësi për ata mësues që punojnë mirë e që dallohen. Në fokus të komiteteve të inateve, ishin edhe arsimtarët e dalluar. Ata kryesisht para përjashtimit i akuzonin pse po e duan Shqipërinë!

Ziu, një ditë derisa po priste autobusin afër shkollës, mbështetur në rrethoja të oborrit, dëgjonte bisedën e sekretarit të partisë me një anëtar tjetër partiak. Autobusi po vonohej. Sekretari përmendi emrin e Metit, arsimtarit të gjuhës shqipe. Ai kishte përvojë të duhur dhe mund të ishte kandidat për drejtor në mandatin vijues. Shaqo arsimtar i edukatës fizike vetëm e dëgjonte Kakariçin, sekretarin e degës së partisë që po ia numëronte e qepte “të zezat” Metit.

– Meti, jo që nuk bën të emërohet drejtor, por së shpejti do ta përjashtojmë nga partia dhe pastaj e largojmë nga puna. Kjo porosi e komitetit duhet të zbatohet.

Kishte kohë që Ziu nuk ishte takuar me Metin. Atë ditë që shkonte në qytet qëndronte pak më gjatë. Kishte vendos t’i tregonte se çka po përgatiste partia për të. Po meti e kishte kuptuar më herët përjashtimin e tij. Ai kishte konkurruar për gazetar në Rilindje dhe e kishte kaluar edhe testin pa i treguar askujt. Pas tri ditësh, Ziu takoi Metin dhe i tregoi. Meti vetëm buzëqeshi pak. Jam pranuar gazetar dhe nesër do iki prej këtu. Ashtu ndodhi. Meti shpëtoi për pak nga përjashtimi që e kishte diktuar. Nuk kishte shumë ditë që arsimtarët kishin qenë për vizitë në Shqipëri. Atje ata i kishin ndjekur kudo për të parë secilin kush me kënd dhe çka po bisedon. Fjala ishte për kolegë shqiptar mësues e arsimtarë që spiunonin njëri tjetrin. Atje në Shqipëri i kishin përcjellë mirë dhe pas kthimit, atyre që janë dalluar po iu përgatitej përjashtimi.