Nga: Graziella Pastor / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com

Gjatë kohës sime në Shtëpinë e Bardhë, pashë kompanitë e inteligjencës artificiale duke bërë një gabim prej triliona dollarësh: ato po investonin miliarda për të ndërtuar të ardhmen dhe pothuajse asgjë për ta shpjeguar atë. Opinioni publik po ndryshon me shpejtësi, politikanët po ndjekin trendin, dhe një teknologji që përfaqëson të ardhmen e inovacionit amerikan është kthyer shpejt në një pengesë politike.


Në ditën e dytë të mandatit të dytë të presidentit Trump, hyra në Krahun Perëndimor, e gatshme për të punuar, duke ndihmuar në zgjidhjen e problemeve të Amerikës. Që në fillim, presidenti Trump e bëri të qartë se sektori privat, veçanërisht kompanitë teknologjike, do të luanin një rol qendror në formësimin e zgjidhjeve.

Gjatë 100 ditëve të para, ishin të shumta takimet e rregullta me drejtues të industrive të teknologjisë dhe të inteligjencës artificiale [IA], ndërsa ata punonin me administratën për të trajtuar prioritete që varionin nga shpërdorimi qeveritar te rritja ekonomike, si edhe nga siguria kombëtare te prodhimi industrial. Si rezultat, takoja shpesh drejtuesit e kompanive kryesore, si xAI, OpenAI, Google, Nvidia, Palantir dhe Anduril. Nga këndvështrimi i qeverisë, ishte e qartë: IA-ja është thelbësore për konkurrueshmërinë amerikane.

Megjithatë, jashtë Uashingtonit, publiku pothuajse nuk e ka asnjë ide për këtë.

Në më shumë se një rast, këta drejtues teknologjie pyetën se çfarë mund të përmirësonte disa nga produktet më të përdorura të IA-së në botë. Kur drejtuesi i një platforme shumë të njohur më pyeti, mbeta e habitur. Ishte një inxhinier i klasit botëror që po pyeste një juriste të qeverisë se si ta bënte më të mirë aplikacionin e tij të IA-së. Për vetë produktin, kisha pak për të ofruar - ata ishin novatorët. Por, ndërsa menaxhoja komunikimet ligjore në Shtëpinë e Bardhë, kishte një fushë ku mendoja se mund të përmirësoheshin.

“Keni një problem të madh komunikimi. Të gjithë e përdorin produktin tuaj, por sa herë ndez televizorin, dëgjoj vetëm për rreziqet e tij,” i thashë.

Sytë iu hapën ndërsa pohoi me kokë. Ai tha: “E di, ne shpenzojmë kaq shumë kohë duke u përpjekur të përsosim produktin, saqë mendoj se në fakt nuk e kemi as një ekip të dedikuar për komunikim.”

Ishte tronditëse. Një kompani miliardëshe e IA-së me pak ose aspak marrëdhënie me publikun!

Edhe më befasues ishte fakti se shpejt u bë e qartë se ky drejtues i IA-së nuk ishte i vetëm. Fola me disa drejtues të industrisë dhe kuptova se, në përgjithësi, ata nuk po i kushtonin shumë vëmendje apo para komunikimit me publikun. Dukej sikur ose ishin të kënaqur duke qëndruar në hije, ose supozonin se, nëse e bënin jetën amerikane më të mirë, nuk kishin nevojë të bënin asgjë më shumë se kaq.

Gaboheshin. Dhe, kjo llogaritje e gabuar e ka kthyer këtë problem në një krizë të plotë të industrisë.

Pasojat politike tashmë janë të dukshme. Disa kompani të mëdha tashmë janë detyruar të zhvendosen në shtete më miqësore ndaj biznesit, sepse politikanët po ua kthenin donacionet për shkak të armiqësisë në rritje ndaj IA-së dhe qendrave të të dhënave.

Dhe, madje edhe ato shtete “miqësore ndaj biznesit” mund të mos i duan. Politikanët po pozicionohen pro dhe kundër IA-së. Guvernatorët, në të gjithë vendin, si në shtetet republikane ashtu edhe në ato demokrate, po zotohen të luftojnë “problemin e IA-së.” Ata këmbëngulin se do të bëjnë përpjekje të mëdha për të kufizuar IA-në, në mënyrë që industria të mos “vjedhë vendet e punës.”

Edhe politikanët që historikisht kanë qenë pro-biznesit, po dalin fuqishëm kundër IA-së.

Brenda administratës, dëgjova zëra se ata që shpresojnë të kandidojnë në vitin 2028, tashmë po pozicionohen si kandidatë kundër IA-së, në përpjekjen për t’u dalluar nga kandidatët pro-IA-së, si JD Vance.

Dhe, sondazhet tregojnë se kjo është një taktikë e zgjuar. Politikanët e tjerë të mëdhenj republikanë, që janë pro-teknologjisë, më thanë se thjesht nuk do ta diskutojnë këtë temë tani, sepse po humbasin mbështetje në sondazhe për shkak të lidhjes së tyre me kompanitë e mëdha teknologjike [Big Tech] dhe IA-në në shtetet republikane.

Duke e injoruar këtë problem, ai është kthyer në krizë - kompanitë e mëdha teknologjike janë version i ri i kompanive të mëdha të duhanit [Big Tobacco]

Industria e duhanit shpenzon më shumë se tetë miliardë dollarë në marketing dhe promovim në ShBA, dhe produkti i saj është i thjeshtë. Produktet e teknologjisë së lartë janë të sofistikuara dhe mund të jenë mjaft të ndërlikuara për t’u kuptuar nga amerikani mesatar. Industria duhet të investojë shumë në edukimin e publikut mbi përfitimet e produkteve të saj; përndryshe, të qenit kundër IA-së mund të bëhet çështja e vetme që më në fund bashkon amerikanët dhe politikanët si të djathtë ashtu edhe të majtë.

Në fund të fundit, ekziston një shkëputje e plotë mes lajmeve negative për IA-në dhe faktit që amerikanët tashmë po e përdorin AI-në çdo ditë për të përmirësuar jetën e vet. Nëse kompanitë e mëdha teknologjike nuk investojnë seriozisht në edukimin e publikut amerikan për të gjitha përfitimet që IA-ja mund të sjellë, të qenit kundër IA-së do të bëhet shumë shpejt qëndrim dypartiak. Kompanitë e mëdha teknologjike duhet të veprojë shpejt, jo vetëm për hir të zgjedhjeve të ardhshme dhe fitimit të garës së IA-së, por edhe për të ardhmen e inovacionit amerikan. /Telegrafi/