LAJMI I FUNDIT:

Importuesit e kafshëve nga 1 korriku do të paguajnë TVSH-në 8 për qind

Importuesit e kafshëve nga 1 korriku do të paguajnë TVSH-në 8 për qind

Ministria e Financave përveç lirimit nga tatimi doganor të kafshëve për disa kategori që e lejon Ligji i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) në fuqi, ka marrë vendim për ta ulur tatimin e vlerës së shtuar për importimin e shtazëve nga shkalla 18 për qind sa është sot në 8 për qind, me të vetmin qëllim që të ndihmohen qytetarët dhe fermerët që të importojnë kafshë në vendin tonë me kosto sa më të ulët.

Këshilltari i Ministrit të Financave, Lulëzim Rafuna për KosovaPress, thotë se kafshët të cilat importohen në Kosovë janë të liruara nga tatimi doganor ose nga shkalla 10 përqind, ndërsa ministri Bedri Hamza në bazë të kompetencave që ia lejon ligji për tatimin e vlerës së shtuar, ka marrë vendim që nga 1 korriku të përshkallëzohet TVSH-ja për importimin e shtazëve nga 18 përqind në 8 përqind.


Rafuna thotë se gjatë analizave në Ministri të Financave është konstatuar se edhe në sektorin e bujqësisë përkatësisht te blegtoria, importimi i kafshëve duhet liruar nga tatimi doganor me qëllim që t’iu mundësohet të gjithë qytetarëve dhe fermerëve që me kosto sa më të ulët të kenë mundësi të importojnë kafshë në vendin tonë me qëllim të zgjerim të kapaciteteve të tyre prodhuese.

“Sektori privat është bartës i zhvillimit ekonomik, për këtë arsye në çdo tre muaj është marrë një vendim për lirim nga tatimi doganor dhe ai i akcizës. Sa i përket vendimit të fundit, i cili është marrë për lirim të shtazëve nga tatimi doganor është në fuqi, kurse sa i përket tatimit të vlerës së shtuar pritet që vendimi të hyjë në fuqi në fillim të muajit korrik. Më pas ne në Parlamentin e Kosovës kemi një sërë ligjesh tatimore, ku parashohim shumë lirime, sidomos te tatimi i vlerës së shtuar, ligj i cili është duke pritur për t’u votuar në leximin e parë, për arsye se është mbajtur edhe arsyesh mëria e ligjit dhe të gjitha këto kanë kaluar”, deklaron Rafuna.

Ai thotë se përfitimet nga lirimi doganor përshkallëzimi i TVSH-së, janë të mëdha për bizneset prodhuese. Sipas tij, nga fillim viti i 2018-së, është marrë vendim për lirim nga tatimi doganor dhe tatimi i akcizës për bizneset prodhuese në Kosovë. Këto lirime kanë të bëjnë me lëndën e parë, gjysmë produktet, linjat e prodhimit, pajisjet e TI-së, lëndët ndihmëse të cilat marrin pjesë në procesin e prodhimit dhe pjesët rezervë për linjat e prodhimit.

“Lirimet nga tatimi doganor dhe TVSH-ja ka ndikuar jashtëzakonisht mirë në rritjen e prodhimtarisë, deri më tani nga lirimet kanë përfituar mbi 400 biznese prodhuese ose shuma e përgjithshme e lirimeve që nga shtatori i vitit të kaluar 130 milionë euro, që do të thotë se këto mjete kanë mbetur tek bizneset për zgjerimin e kapaciteteve të tyre. Ndërsa vlera e mallit në total që është liruar është 607 milionë euro”, thotë ai.

Ndërsa, fermerët bujqësor që janë importues të kafshëve kanë mirëpritur këtë vendim qeveritar.

Sipas Rafunës, përmes ligjit i cili është në Parlamentin e Kosovës, do të lirohen nga tatimi i vlerës së shtuar lënda e parë që prodhohet në vendin tonë për prodhues, do të thjeshtëzohen procedurat e kthimit të tatimit mbi vlerën e shtuar dhe çka është më thelbësorja që ndodhë për herë të parë në vendet e rajonit tonë, fillimi i mbledhjes së TVSH-së nga kufiri në import në brendi të vendit.

Këshilltari i ministrit Hamza, ndër të tjera pohon se me ligjin e ri të administratës dhe procedurave, do të themelohet bordi i ri, i cili do t’i shqyrton me kohë shumë më të shkurtër të gjitha ankesat e bizneseve për të mos pasur nevojë të pritet me vite shqyrtimi i tyre. /KP/Telegrafi/