LAJMI I FUNDIT:

Ilaçi antidiabetik e ngadalëson plakjen dhe zgjat jetëgjatësinë

Ilaçi antidiabetik e ngadalëson plakjen dhe zgjat jetëgjatësinë

Një studim nga studiuesi belg i doktoraturës Wouter De Haes (KU Leuven) dhe kolegët e tij ofron dëshmi të reja se metformina, ilaçi më i përdor antidiabetik në botë ngadalëson plakjen dhe rrit jetëgjatësinë.

Në eksperimentet e raportuara në revistën “Proceedings of the National Academy of Sciences” studiuesit e analizojnë mekanizmin i cili qëndron prapa efekteve të metforminës për ngadalësimin e plakjes: ilaçi shkakton një rritje në numrin e molekulave toksike të oksigjenit në qeliza dhe kjo, për çudi, rrit fuqinë dhe jetëgjatësinë e qelizave në periudha afatgjata.

Mitokondritë – fabrikat e energjisë në qeliza – gjenerojnë rryma të vogla elektrike për t’iu siguruar qelizave të trupit energji. Molekulat shumë reaktive të oksigjenit janë prodhuar si një produkt sekondar i këtij procesi.


Derisa këto molekula janë të dëmshme sepse ato mund t’i dëmtojnë proteinat dhe ADN-në dhe ta çrregullojnë funksionimin normal të qelizave, një dozë e vogël në fakt mund t’u bëjë mirë qelizave, thonë studiuesit: “Për sa kohë që sasia e molekulave të dëmshme të oksigjenit e lëshuar në qelizë mbetet e vogël, ajo ka një efekt pozitiv afatgjatë në qelizë. Qelizat i përdorin grimcat reaktive të oksigjenit në favor të tyre para se ato të mund të bëjnë ndonjë dëm,” shpjegon Wouter De Haes.

“Metformina shkakton një rritje të lehtë të numrit të molekulave të dëmshme të oksigjenit. Ne kemi zbuluar se kjo i bën qelizat më të forta dhe e zgjatë jetëgjatësinë e tyre të shëndetshme.”

Prej kohësh mendohej se molekulat e dëmshme reaktive të oksigjenit ishin shkaku i vërtetë i plakjes. Industritë e ushqimit dhe të kozmetikës shpejt i vënë në dukje kualitetet për “antiplakje” të produkteve që përmbajnë antioksidantë, si kremrat e lëkurës, lëngjet e frutave dhe perimet, vera e kuqe dhe çokollata e zezë.

Por derisa antioksidantët në fakt i neutralizojnë molekulat e dëmshme reaktive të oksigjenit në qeliza, ata në fakt i mohojnë efektet antiplakje të metforminës për shkak se ilaçi mbështetet tërësisht në këto molekula për të funksionuar.

Hulumtuesit studiuan mekanizmin e metforminës në krimbat e vegjël cilindrik Caenorhabditis elegans, një specie ideale për ta studiuar plakjen sepse ka një jetëgjatësi prej vetëm tri javësh. “Derisa plaken, krimbat zvogëlohen, rrudhen dhe bëhen më pak të lëvizshëm. Por krimbat e trajtuar me metforminë tregojnë humbje shumë të kufizuar të madhësisë dhe nuk tregojnë rrudhje. Ata jo vetëm që plaken ngadalë, por gjithashtu qëndrojnë më gjatë më të shëndetshëm,” thotë Wouter De Haes.

“Derisa duhet të jemi të kujdesshëm për të mos i mbivlerësuar të gjeturat tona për njerëzit, studimi është premtues si bazë për kërkime në të ardhmen.”

Studime të tjera në njerëz kanë treguar se metformina i ngadalëson disa lloje kanceresh dhe sëmundje të zemrës. Metformina madje mund të jetë një ilaç efektiv për kundërveprimin e efekteve të përgjithshme të plakjes, thonë studiuesit. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori