LAJMI I FUNDIT:

I polli mushka Ilir Metës në Beograd

Vizita dy ditore e zv/kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë Ilir Meta në Beograd, na solli qartazi përpara syve tanë bërthamën e politikës shqiptare në raport me fqinjët.

Kjo vizitë që ishte edhe strumbullari i aktiviteteve politike të zotërisë Meta qysh se ka rimarrë detyrën e shefit të diplomacisë shqiptare, na solli parasysh veçoritë specifike të diplomacisë së Tiranës në raport me botën por edhe me njerëzit e brumit të vet, pra shqiptarët e Kosovës dhe Luginës së Preshevës.

Megjithëse personalisht zotëri Meta, dhe ndonjë nga këshilltarët e tij e cilësuan këtë vizitë si shumë të suksesshme, në mendimin tim personal, profesional dhe akademik, jo vetëm që ishte e gabuar, por kjo vizitë do ti hapë edhe telashe në të ardhmen Republikës së Shqipërisë.

Zotëri Meta, shkoi në Beograd në cilësinë e një ministri fuqiplotë të një shteti sovran, por u soll përpara pritësve të tij, si një këshilltarë i një komune të harruar në kohë jashtë kontinentit tonë. Takimi me presidentin Tadic, ishte një përunjësi e pa cipë e një shqiptari i cili i shtrëngoi dorën presidentit të një shteti kriminel, fajtor për katër luftëra gjakatare gjatë një dekadë, i cili as që ka kërkuar ndjesë, e as që e përfillë ekzistencën e popullit shqiptar në Kosovë dhe Luginën e Preshevës.

Deklaratat e zotëri Metës për integrime euroatlantike të Shqipërisë dhe Serbisë tingëllonin si tentim për të vajosur një ide shumë të ndryshkur në Beograd, sepse Serbia vet akoma nuk është përcaktuar qartazi se a do të ofrohet me BE-në apo Rusinë, dhe këshillat e Ilir Metës dukeshin sikur fjalë të pa kripë.

Zotëri Meta, e para e punës gaboj edhe në orientimin e tij gjeografik. Aj e quajti disa herë Serbinë shtet fqinjë, kur dihet se qysh pas shkëputjes së Kosovës nga Serbia, tashmë Shqipëria nuk ndan as edhe një centimetër kufi me Serbinë.

Përunjësia e ministrit të Jashtëm shqiptar u tregua edhe me rastin e pyetjes së gazetarëve për Kosovën, temë që ai u mundua ta shmang me çdo kusht. Zotëri Meta foli për Kosovën në veten e tretë, pra sikur të ishte një çështje që i përket një konstelacioni tjetër të universit politik. Ai nuk mori guximin e diplomatit që t’i thotë Tadicit se Kosova duhet të njihet edhe nga Serbia nëse duam që rajoni njëmend të përparojë, ose nuk e gjeti guximin e homologut të tij Francez dr.Kushner, i cili vetëm para pak javësh ia tha jo vetëm presidentit, por edhe gjithë popullit serb, se Kosova është shtet dhe ky realitet nuk zhbëhet.

Sa i përket problemit të Luginës së Preshevës, zotëri Meta prapë me lajka nga më të ndryshmet, sillej si kameleon, duke mos gjetur guximin që t’u thotë autoriteteve serbe se vërshimi i shqiptarëve vendas të këtyre trojeve autoktone shqiptare drejt perëndimit javëve të fundit, është si pasojë e diskriminimit ekonomik dhe shkombëtarizimit sistematik të tyre që Serbia po bën me dekada me radhë. Pse për shembull zotëri Meta, nuk kërkoi investime të njëjta nga qeveria e Serbisë për komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Mjaltëzës (Medvegjës) sikur që ndodhin me komunat e përafërta me banorë me to?

Sa për ilustrim, buxheti i sivjetmë i komunës së Vlasotincës, ka marrë 1 miliard e 300 milion dinarë investime nga qeveria qendrore e Beogradit më shumë sesa Mjaltëza, qytete këto gjeografikisht jo fort larg mes tyre.

Përpos kësaj, zotëri Metës i polli edhe mushka, kur Vuk Jeremic, duke treguar agresivitetin dhe mospërfilljen historike karakterizuese të diplomacisë serbe ndaj Shqipërisë, i nxori edhe minoritet serb në Shqipëri. Jeremic, ndryshe nga Ilir Meta, që s’bëzante fare rreth çështjes së pa zgjidhur shqiptare me fajtor kryesor pikërisht Serbinë, kërkoi “të drejta të pa kufizuara për bashkëkombësit e vet në veriun e Shqipërisë”, dhe as që lëkundi qerpikun nga frika se mos po trazohej Meta apo dikush tjetër nga delegacioni shqiptar kur e bëri këtë deklaratë.

Trajtimi me inferioritet që i bëri diplomacia serbe zotëri Metës, u dëshmua edhe me rastin e vizitës së delegacionit shqiptar në Luginën e Preshevës, kur në vend që Meta të shoqërohej nga homologu i tij Jeremic, si njeriu që edhe zyrtarisht e ka ftuar atë me protokoll në Beograd, atij i dhanë si shoqërues ministrin e Pushtetit vendor, duke neglizhuar nivelin e tij dhe të detyrës që Meta përfaqëson në qeverinë e Shqipërisë .

Dhe çështja e fundit, me sjelljen e tij prej një nxënësi të urtë që i bindet fëmijëve ngucagjinjë, zotëri Meta e çoi lart pozitën e Serbisë në arenën ndërkombëtarë duke e bërë qendër të diplomacisë rajonale, dhe duke quar drejt përdorimit të vizitës së tij nga diplomacia serbe si faktor i hapjes së Serbisë ndaj fqinjëve dhe ndaj botës.

Në studimet e mia të shumta për çështjen shqiptare, vend të rëndësishëm zënë edhe epoka e komunizmit dhe marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Kështu unë para disa muajsh po lexoja një dokument arkivor ku Tito e përçmonte Enver Hoxhën kur ky po vizitonte Beogradin në vitin 1946, duke e quajtur “kalama i politikës, fshatar, langua dhe të pa edukatë”.

Nga sjellja e tyre, gjuha trupore që tregonin, dhe deklaratat që i lëshuan zyrtarisht pas takimeve me Ilir Metën, kam përshtypjen se zyrtarët e Beogradit mes vete kanë pëshpëritur po të njëjtat fjalë si edhe Tito dikur për Enver Hoxhën, në mos më keq bile.

(Autori është pedagog në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin Glasgow, Britani e Madhe, bashkëpunëtor i Qendrës për Studime të Evropës Lindore në Glasgow, hulumtues shkencor në Universitetin e Varshaves, dhe anëtar korrespondent në Qendrën për Studime Strategjike në Londër)