I kërkuar nga shumë gjigantë evropianë, Diomande zgjedh destinacionin e tij të ardhshëm


Yan Diomande ka vendosur që destinacioni i tij i ardhshëm të jetë Paris Saint-Germain, nëse largohet nga Leipzigu gjatë këtij afati kalimtar veror.
Sipas The Athletic, 19-vjeçari nga Bregu i Fildishtë beson te projekti i PSG-së, i udhëhequr nga presidenti Nasser Al-Khelaifi dhe këshilltari sportiv Luis Campos, ndërsa dëshiron të punojë edhe nën drejtimin e trajnerit Luis Enrique.
Sulmuesi i krahut e sheh një transferim në kryeqytetin francez si mundësinë ideale për të luftuar vazhdimisht për trofe dhe për të ndërtuar një karrierë që në të ardhmen mund ta çojë deri në fitimin e Topit të Artë.
Liverpooli kishte shprehur gatishmërinë të paraqiste një ofertë që i afrohej 100 milionë eurove për shërbimet e tij.
🚨 EXCL: Yan Diomande chooses Paris Saint-Germain as next destination if he departs RB Leipzig this summer. 19yo said to believe in #PSG project led by Al-Khelaifi / Campos / Enrique + wants chance to lift trophies regularly & win Balon D’Or @TheAthleticFC https://t.co/HYUUXtCSS8
— David Ornstein (@David_Ornstein) June 28, 2026
Megjithatë, Leipzig nuk ishte i gatshëm ta pranonte atë ofertë, pasi klubi gjerman kërkon rreth 130 milionë euro për kartonin e talentit dhe njëkohësisht po përpiqet ta bindë të rinovojë kontratën.
Diomande firmosi një kontratë deri në vitin 2030 kur iu bashkua Leipzigut verën e kaluar, pas transferimit nga skuadra spanjolle Leganes.
Aktualisht, ai ndodhet me Kombëtaren e Bregut të Fildishtë në Kupën e Botës 2026 dhe pritet të luajë në ndeshjen e fazës së 1/16 së finales ndaj Norvegjisë, e cila zhvillohet të martën në Arlington të Teksasit.

19-vjeçari, i cili mund të aktivizohet në të dy krahët e sulmit, mungoi vetëm në një ndeshje të Bundesligës sezonin e kaluar për shkak të angazhimit me kombëtaren.
Ai e mbylli sezonin me 12 gola dhe 9 asistime në 33 ndeshje të Bundesligës, duke ndihmuar Leipzigun të përfundojë në vendin e tretë dhe të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve./Telegrafi/









































