LAJMI I FUNDIT:

Hovenier: Duam t’i tejkalojmë pikat e nxehta, të vijojmë me punën e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit

Hovenier: Duam t’i tejkalojmë pikat e nxehta, të vijojmë me punën e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit

Ambasadori i ShBA-së në Kosovës, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se duhet të pranohet deklarata e Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, që kishte thënë për situatën në veri, sipas tij, se në momentet e shpërthimit të tensioneve në veri deklaratat e tilla ndodhin dhe se duhet të pranohen.

Ai komentoi qëndrimin e Kurtit ndaj deklaratës së Blinken, i cili tha se vendimi për të përdorur forcë për të hyrë në ndërtesat komunale në veri është marrë kundër këshillave të SHBA-së dhe BE-së.


“Komenti im është se në atë çast, ndjenjat ishin të nxehta dhe mendoj se është me rëndësi të pranohet kjo. Nuk besoj që aparati i politikës së jashtme amerikane, unë apo të tjerët jemi të keqinformuar ose naivë. Mendoj se kemi kuptim të mirë të motiveve dhe veprimtarisë dhe veprimeve të aktorëve këtu. Por, qëllimi ynë është i qartë: duam të shohim Kosovën duke ecur përpara në rrugëtimin e saj evropian dhe euroatlantik”, ka thënë Hovenier, në Rubikon të Klan Kosovës.

Ai ka deklaruar se ShBA-ja dëshiron që ta shohë Kosovën në rrugën evropiane dhe të ecë para në rrugën e saj euroatlantike dhe evropiane.

“Duam të shohim Kosovën duke marrë vendin e saj në familjen në Evropë. Rruga për të bërë këtë ka qenë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja është dëmtuar, penguar nga pikat e nxehta – më e fundit është jashtëzakonisht brengosëse për shkak të situatës në veri. Duam t’i tejkalojmë pikat e nxehta; të vijojmë me punën e vështirë për zbatimin e marrëveshjes së mirë të arritur dhe përfunduar në shkurt, me aneksin për zbatim të marrëveshjes të marsit në Ohër”.

“Presim që të dyja palët ta zbatojnë plotësisht. Duam të punojmë bashkërisht për këtë sepse është punë e vështirë për tu kryer. Më duhet të shtoj këtu se për Kosovën kjo do të thotë të kryejë punën e vështirë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe për Serbinë që t’i zbatojë dispozitat për të cilat është pajtuar në marrëveshje. Por, po kalojmë shumë kohë duke u marrë me pikat e nxehta në veri dhe duam t’i tejkalojmë ato. Nuk mendojmë se kjo është pikëpamje naive, mendojmë se është pikëpamje prej burrështetasi”, ka thënë Hovenier.