Zjarret, thatësira dhe stuhitë godasin Evropën


Zjarrfikësit në verilindje të Spanjës po luftojnë sot me ndihmën e 30 aeroplanëve kundër zjarreve pyjore, pasi një zjarr i madh ka detyruar evakuimin e rreth 1 mijë personave.
Situata vjen pas valëve të fundit të të nxehtit që kanë tharë bimësinë në pjesën më të madhe të Evropës.
Valët e njëpasnjëshme të temperaturave ekstreme kanë çuar termometrat në nivele të papara në zona të mëdha të kontinentit, duke shkaktuar mungesë uji, dëme në të mbjella dhe mijëra vdekje më shumë se zakonisht.
Sipas agjencisë Reuters, temperatura mesatare në Evropë sot është 27.5 gradë Celsius, që është 4.2 gradë më e lartë se mesatarja e temperaturave maksimale për datën 17 korrik në periudhën 1961-1990.
Në Francë, thatësira është përkeqësuar çdo ditë që nga fundi i muajit maj. Një central bërthamor në jug të vendit mund të detyrohet të ndalojë punën, pasi temperaturat e larta në Detin Mesdhe kanë bërë që uji të jetë shumë i ngrohtë për ftohjen e reaktorëve.
Në Gjermani, niveli i ulët i ujit në lumin Rajna ka penguar transportin lumor, duke çuar në rritjen e kostove të transportit. Ndërsa temperaturat kanë filluar të bien në disa zona, janë shfaqur stuhi të fuqishme.
Dy persona kanë humbur jetën në Francën qendrore dhe lindore. Njëra nga viktimat është një grua në zonën Saint-Victurnien, në departamentin Haute-Vienne, e cila vdiq pasi një pemë u rrëzua mbi të.
Në lindje të vendit, në Dolomieu, u gjet trupi i një burri në një punishte të shkatërruar nga zjarri. Sipas agjencisë AFP, zjarri ishte shkaktuar nga një goditje rrufeje.
Operatori francez i rrjetit elektrik Enedis konfirmoi se gjithsej 53 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike. Problemet më të mëdha me furnizimin janë regjistruar në rajonet Auvergne-Rhône-Alpes në juglindje dhe Nouvelle-Aquitaine në jugperëndim të Francës.
Shërbimi meteorologjik spanjoll paralajmëroi se temperaturat do të fillojnë të rriten sërish të dielën. Në disa zona të Andaluzisë dhe La Mançës priten temperatura nga 42 deri në 44 gradë Celsius, për shkak të ardhjes së ajrit të nxehtë nga Afrika e Veriut.
Një zjarr pyjor pranë Ores, në rajonin verilindor të Aragonës, është përhapur gjatë natës së të premtes në një sipërfaqe prej më shumë se 12 mijë hektarësh. Me shuarjen e tij po merren rreth 300 ushtarë, të ndihmuar nga helikopterë dhe pesë avionë kundër zjarreve.
Zjarrfikësit po përpiqen gjithashtu të kontrollojnë flakët pranë Madridit dhe në provincën Guadalajara, ku janë djegur rreth 1500 hektarë dhe është evakuuar një kamp veror për fëmijë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi javën e kaluar se Evropa përballet me “disa javë vdekjeprurëse”, për shkak të valëve të reja të të nxehtit që po formohen mbi Oqeanin Atlantik.
Shkencëtarët që monitorojnë të ashtuquajturat vdekje të tepërta thanë se gjatë valëve të të nxehtit në fund të qershorit, në Evropë kanë vdekur mijëra persona më shumë se zakonisht për këtë periudhë të vitit. /Telegrafi/




































