LAJMI I FUNDIT:

Hoti: Qeveria e ka fokusin te sfidat e sektorit privat

Hoti: Qeveria e ka fokusin te sfidat e sektorit privat

“Hapja e një Qendre të tillë në Kosovë, për ne është e një rëndësie të veçantë, duke marr për bazë sinjalet që ky investim përçon tek bizneset tjera. Prandaj, përveç që i gëzohemi një investimi të ri, i gëzohemi faktit se ky investim po bëhet nga një investitor ekzistues, që është sinjal i kënaqshmërisë dhe besimit ndaj tregut të Kosovës. Tani, si Ministër i Financave, dua të ju informoj dhe njëkohësisht të zotohem se ne do të vazhdojmë me reforma fiskale, financiare e strukturore për tu siguruar se vendi ynë është dhe do të mbetet një destinim mjaft atraktiv për të bërë biznes”, tha ministri i Financave Avdullah Hoti, në ceremoninë e inaugurimit të Qendrës së Trajnimeve Regjionale të Bankës ProCredit, në Prevallë të Prizrenit, me rastin e shënimit të 17 vjetori të operimit të kësaj Banke në Kosovë.

Ai gjithashtu u zotua se Ministria e Financave në çdo kohë do të jetë e hapur për të dëgjuar nga sektori privat për sfidat me të cilat ata ballafaqohen dhe do të angazhohet që ato sfida të adresohen për një kohë sa më të shkurt.

Ministri Avdullah Hoti duke uruar Procredit Bankën dhe stafin e saj për 17 vjetorin e operimit në Kosovë dhe për hapjen e kësaj Qendre Regjionale të Trajnimeve në vendin tonë, tha se “Hapja e kësaj Qendre në Kosovë do të ekspozoj edhe më shumë mundësitë që vendi ynë ofron, duke ditur se kjo Qendër do të vizitohet nga shumë punëtor të Grupit ProCredit që vijnë nga vende të ndryshme, dhe kjo i shton vlerën edhe më shumë këtij investimi. Siç e dini, Grupi i ProCredit operon në shumë vende të botës, dhe vendimi që ky investim mjaft domethënës të bëhet në Kosovë, është një sinjal i qartë se Kosova tani më po konsiderohet nga shumë vende dhe investitor si një ekonomi mjaft atraktive për bërë biznes”.

“Përmes aktiviteteve të saja bankiere, një numër i konsiderueshëm i bizneseve dhe qytetarëve kanë përfituar direkt ose indirekt, dhe kanë zgjeruar aktivitetet e tyre biznesore”, shtoi ministri Hoti.

Ai gjithashtu bëri të ditur se Qeveria e Kosovës gjatë viteve të fundit ka zhvendosur fokusin e saj në implementim të reformave që direkt adresojnë sfidat e sektorit privat, ngase është e bindur se vetëm në këtë mënyrë, ekonomia e jonë do të rritet me hapa më të shpejtë dhe më të qëndrueshëm.

“Në rastin e Kosovës, përkundër faktit se ka mjaft hapësirë për përmirësime të mëtutjeshme, vendosmëria e Qeverisë për implementim të reformave substanciale, ka dërguar sinjal mjaft të çartë tek investitorët se vendi ynë është shumë i hapur për ndërmarrësi. Dhe natyrisht se informatat që merren nga investitorët ekzistues në të shumtën e rasteve janë më të besueshme, për vet faktin se ata përballen në baza të rregullta me ambientin ekonomik të vendit ku operojnë”, shtoi ministri Hoti.

Në këtë ceremoni përveç ministrit të Financave Avdullah Hoti, pjesëmarrës ishin edhe ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë Angelika Viets, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Bedri Hamza, drejtori gjeneral në ProCredit Bank Ilir Aliu, si dhe kryetari i Bordit të Drejtorëve të ProCredit Bank në Kosovë Borislav Kostadinov. /Telegrafi/