Në kohën kur Evropën e ka përfshirë një valë e dytë epandemisë Covid-19 dhe kur në Kosovë çdo ditë po rritet numri i rasteve me këtë virus, kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka apeluar për kujdes maksimal për t’u përballur me këtë pandemi.

Hoti, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Evropa tanimë është përfshirë nga vala e dytë e pandemisë nga covid-19. Në Kosovë, shifrat e të prekurve nga dje janë bërë dyshifrore, ndërkaq numri i të prekurve brenda 24 orëve është dyfish më i lartë se numri i të shëruarve”.

“Na duhet të tregojmë kujdes maksimal në punë, në shkollë, në biznes, në rrugë dhe në çdo aktivitet ku ka grumbullim të njerëzve. Duhet të kemi mirëkuptim për të evituar të gjitha tubimet publike të çfarëdo natyre, ashtu siç rekomandohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK”, ka shkruar Hoti, transmeton Telegrafi.

Postimi i plotë i Hotit:

“Kujdes maksimal për ta përballuar valën e dytë të covid-19

Evropa tanimë është përfshirë nga vala e dytë e pandemisë nga covid-19. Në Kosovë, shifrat e të prekurve nga dje janë bërë dyshifrore, ndërkaq numri i të prekurve brenda 24 orëve është dyfish më i lartë se numri i të shëruarve.

Institucionet tona po bëjnë të gjitha veprimet e nevojshme, por na duhet kujdes maksimal dhe solidaritet i plotë për të evituar mbylljen totale:

1. SHSKUK ka planin për aktivizim të shtretërve shtesë në Prishtinë dhe në spitale regjionale, si dhe është bërë plani për ri-shpërndarjen e stafit mjekësor sipas nevojës.

2. Janë rritur kapacitetet testuese, duke mundësuar që pothuajse të gjithë ata që kanë nevojë për testim të testohen brenda ditës, dhe testimi së shpejti do të decentralizohet në regjione.

3. IKSHPK ka ngritur struktura rajonale të inteligjencës për të identifikuar vatrat infektive.

4. Në shkolla ka kontroll të shtuar.

5. Po rishikohen lista e vendeve me rrezik për të ndaluar udhëtimin nga ato vende, gjithmonë duke u bazuar në protokollet përkatëse.

6. Janë aktivizuar inspektoratet përkatëse për të mbikëqyrë zbatimin e masave.

7. Në baza të rregullta javore po koordinohemi me partnerët ndërkombëtarë që janë duke na mbështetur në përballimin e situatës.

Por, na duhet të tregojmë kujdes maksimal në punë, në shkollë, në biznes, në rrugë dhe në çdo aktivitet ku ka grumbullim të njerëzve. Duhet të kemi mirëkuptim për të evituar të gjitha tubimet publike të çfarëdo natyre, ashtu siç rekomandohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK”, ka shkruar Hoti.

Në ditët e fundit, Kosova ka regjistruar rritje të rasteve të reja me COVID-19. Vetëm gjatë pesë ditëve të fundit, janë regjistruar 507 raste të reja.

Sipas të dhënave të IKSHPK-së, që prej 13 marsit – kur u regjistruan rastet e para – e deri më 17 tetor, në Kosovë janë regjistruar 16,754 raste me COVID-19.

Prej tyre, 652 pacientë kanë vdekur dhe 14, 617 janë shëruar.

Ndërkaq, raste aktive janë 1,485. /Telegrafi/