Mbrëmja e Eduardo Camavingas ndaj Bayern Munichut u mbyll në mënyrën më të keqe të mundshme. Mesfushori i Real Madridit u përjashtua në minutat e fundit të ndeshjes së dytë çerekfinale të Ligës së Kampionëve, në një moment që është kthyer menjëherë në një nga temat më të diskutuara të gjithë eliminatores.

Me Realin që po përpiqej të qëndronte “gjallë” në ndeshje, Camavinga mori kartonin e dytë të verdhë në minutën e 86-të, pasi u ndëshkua për vonesë në rifillimin e lojës. Ky ndëshkim erdhi vetëm pak minuta pas kartonit të parë, të marrë në një tjetër situatë që lidhej me një ndërhyrje ndaj Jamal Musialas.


Përjashtimi erdhi në një fazë vendimtare dhe e la Real Madridin me dhjetë lojtarë në minutat e fundit, duke e vështirësuar reagimin dhe duke e tronditur ekuilibrin e ndeshjes.

Vendimi është kundërshtuar fort nga madrilenët. Trajneri Álvaro Arbeloa e cilësoi ndëshkimin si të tepruar për atë që ndodhi, duke sugjeruar se përjashtimi ndikoi drejtpërdrejt në mënyrën si u mbyll eliminatorja.

Ajo që e bën rastin edhe më domethënës është fakti se nuk është hera e parë që Camavinga përjashtohet në rrethana të ngjashme në Ligën e Kampionëve.

Vetëm një vit më parë, ai u ndëshkua me karton të kuq pas dy kartonëve të verdhë në një tjetër përballje eliminatore, ku kartoni i dytë erdhi pas një momenti frustrimi dhe vonese loje.

Ngjashmëritë janë të qarta: të dy përjashtimet erdhën në fazën e nokautit, të dyja me karton të dytë për çështje menaxhimi të lojës dhe disipline, dhe të dyja patën ndikim direkt në mundësitë e Real Madridit për të konkurruar deri në fund. /Telegrafi/

telegrafi sport app