Liga e Parë vjen me “finalet” e sezonit: Pesë skuadra luftojnë për Superligë në javën e fundit

Liga e Parë e Kosovës do ta mbyllë sezonin me një nga xhirot më dramatike të viteve të fundit, pasi gara për inkuadrim në Superligë dhe për vendet e barazhit mbetet plotësisht e hapur vetëm 90 minuta para fundit.
Në qendër të vëmendjes do të jenë dy super-përballje direkte: Vëllaznimi ndaj Vushtrrisë dhe Dinamo e Ferizajt kundër Lirisë, ndeshje që mund ta përcaktojnë fatin e gjithë sezonit.
Vushtrria hyn në javën e fundit si lidere me 72 pikë, vetëm një më shumë se Feronikeli 74 dhe Dinamo, ndërsa Vëllaznimi ndodhet menjëherë pas tyre me 70 pikë. Liria, edhe pse e pesta me 68 pikë, ende mban gjallë shpresat për të hyrë në garën e madhe në rast të rezultateve të favorshme.

Pikërisht kjo diferencë minimale pikësh ka bërë që xhiroja e fundit të marrë përmasat e një “finaleje” të vërtetë, pasi një gol apo një gabim i vetëm mund të ndryshojë gjithçka në renditje.
Vushtrria kërkon fitore për ta vulosur rikthimin në elitën e futbollit kosovar, por përballë do ta ketë një Vëllaznim që ende beson fuqishëm te përmbysja e madhe dhe inkuadrimi historik në Superligë.
Në anën tjetër, Dinamo dhe Liria përballen në një duel me presion të jashtëzakonshëm, ku të dy skuadrat synojnë të mbeten në garë për biletën drejt elitës apo të paktën për sigurimin e pozitës së barazhit.

Feronikeli 74 pritet ta ketë më të lehtë inkuadrimin direkt nga dy pozitat e para pasi nuk pritet të ketë probleme te Ramiz Sadiku, i cili nuk ka objektiva në mesin e tabelës/
Në ndeshjet tjera, Besa Pejë luan ndaj KEK-ut, Trepça përballet me 2 Korrikun, Prizreni pret Istogun, Trepça ‘89 luan ndaj Rilindja 1974, Kika do të përballet me Vjosën, ndërsa Suhareka e mbyll sezonin kundër Tefik Çangës. /Telegrafi/









































