LAJMI I FUNDIT:

Hideki Matsuyama, japonezi i parë që triumfon në një turne të madh golfi

Hideki Matsuyama, japonezi i parë që triumfon në një turne të madh golfi
Hideki Matsuyama (Foto: Instagram/hidekimatsuyama1)

Hideki Matsuyama hyri thellë në librat e historisë, teksa u bë sportisti i parë japonez që ia doli mbanë për të triumfuar në një turne të madh golfi. Hideki, mbiemri i të cilit identifikohet lehtësisht me emrin e kryeqendrës së Prefekturës së Ehimes, në Ishullin e Shikokut, rezistoi deri në fund për t’u kurorëzuar me një ndër trofetë më të lakmuar në botën e këtij sporti.

Një fitore krejtësisht e papritur dhe me përmasa të jashtëzakonshme, që pritet të influencojë ndjeshëm në ishull, për t’i dhënë një hov tjetër dhe masivizuar akoma më shumë këtë sport në vendin nipon. 29-vjecari nga Matsuyama triumfoi në Augusta në Shtetin e Georgia-s, në një ndër katër turnetë më të rëndësishëm sezonal të golfit.


Mastersi i Augustës është kampionati i parë “major”, nga katër turnetë kryesorë të këtij sporti dhe zhvillohet si gjithmonë në Shtetet e Bashkuara, në javën e parë të plotë të muajit prill, në Klubin Kombëtar të Golfit të qytetit, që ka një popullsi dicka më pak se 200.000 banorë, pra sic njihet Augusta National Golf Club. Sezonin e kaluar Mastersi Amerikan u organizua në mënyrë krejtësisht të pazakontë në mesin e muajin nëntor, pa praninë e spektatorëve, ndërsa këtë radhë edicioni i 85 i Mastersit të Augustës u zhvillua si përherë në periudhën e zakonshme, por me një numër të reduktuar të të pranishmëve dhe nën masa tepër të rrepta të distancimit social. 18 gropat e famshme me një gjatësi të përgjithshme prej 6.835 metrash dhe Par 72 u interpretuan në mënyrë të shkëlqyer nga golfisti japonez, që përmbysi çdo lloj parashikimi të mundshëm, duke siguruar natyrisht edhe suksesin më të madh në karrierë.

(Foto: Instagram/hidekimatsuyama1)

Në raundin e parë ditën e enjte Hideki Matsuyama pozicionohej në vendin e dytë dhe ishte në kuotë të njëjtë me 34-vjeçarin amerikan Brian Harman, me 3 goditje nën par, në një kohë kur veterani britanik Justin Rose, dy herë nënkampion në Masters, e nisi aventurën e tij me plot 7 gjuajtje nën par, një rezultat i shkëlqyer që barazoi njëkohësisht edhe avantazhin e dytë më të madh, në historinë e këtij aktiviteti, kundrejt ndjekësit më të afërt – transmeton SuperSport.

Një ditë më pas në raundin e dytë 40-vjecari i lindur në Johannesburg të Afrikës së Jugut mbeti 7 goditje nën par, por humbi pothuajse gjithë epërsinë e krijuar, ndaj dy amerikanëve Brian Harman – Will Zalatoris, që ndiqnin nga shumë pranë me 6 gjuajtje nën par, ndërsa sportisti nipon rrëshqiti në vendin e gjashtë, bashkë me 5 golfistë të tjerë, me 4 goditje nën par. Në raundin e tretë aktiviteti u ndërpre për 77’, për shkak të motit të ashpër dhe reshjeve të shiut, por kur rifilloi gjithcka Matsuyama rreshtoi disa “birdie” radhazi dhe një “eagle”, për të fluturuar në vendin e parë, me plot 11 gjuajtje nën par, katër goditje më mirë se sa katër lojtarët e tjerë, që pozicionoheshin në vendin e dytë, me nga 7 gjuajtje nën par. Bëhej fjalë për dy amerikanët Xander Schauffele, Will Zalatoris, britanikun Justin Rose si dhe australianin Marc Leishman.

(Foto: Instagram/hidekimatsuyama1)

Në raundin përmbyllës të ditës së dielë Hideki Matsuyama bëri disa gabime që ia rrezikuan kryesimin, gjithsesi në fund 29-vjeçari nipon ia doli mbanë për të siguruar vendin e parë, duke triumfuar me 10 goditje gjithsej nën par. Një titull plotësisht i merituar që lumturoi pa masë një komb të tërë dhe natyrisht e shndërroi në një idhull të padiskutueshëm Matsuyama-n në “vendin e lindjes së diellit”.

Në atdhe trofeu i fituar nga 29-vjeçari në Mastersin Amerikan u mbulua me një jehonë të veçantë dhe golfisti më i lavdishëm nipon u urua në mënyrë të përzemërt gjithashtu edhe nga vetë kryeministri i vendit Yoshihide Suga. Në fund Matsuyama bëri edhe ritualin e zakonshëm, teksa veshi xhaketën e vecantë me ngjyrën jeshile, duke përfituar gjithashtu edhe çekun e majmë me plot 2.070.000 dollarë.

I dyti në klasifikimin e përgjithshëm u pozicionua 24-vjeçari kalifornian Will Zalatoris që në vitin e tij të debutimit përfitoi 1.242.000 milionë dhe përfundoi kompeticionin me 9 goditje nën par, ndërsa shuma prej 667.000 dollarësh e destinuar për vendin e tretë u nda në dy pjesë, sepse në shkallën më të ulët të podiumit në kuotë të njëjtë me 7 gjuajtje nën par e mbyllën këtë edicion të Mastersit të Augustës dy golfistët nga Shtetet e Bashkuara Xander Schauffele dhe kampioni i vitit 2015 Jordan Spieth.

(Foto: Instagram/hidekimatsuyama1)

Në trend Sport

Më shumë
A e dini se për çfarë shërben gjysmërrethi në buzë të zonës së penalltisë? Këtu është rasti i vetëm në të cilin përdoret

A e dini se për çfarë shërben gjysmërrethi në buzë të zonës së penalltisë? Këtu është rasti i vetëm në të cilin përdoret

Ndërkombëtare
Granit Xhaka 'mbulohet' me para nga Leverkuseni me fitimin e titullit në Bundesligë

Granit Xhaka 'mbulohet' me para nga Leverkuseni me fitimin e titullit në Bundesligë

Bundesliga
Xavi tregon klasin e tij kur pyetet për ndeshjen Real Madrid-Man City para El Clasicos të së dielës

Xavi tregon klasin e tij kur pyetet për ndeshjen Real Madrid-Man City para El Clasicos të së dielës

La Liga
Si e “tradhtoi” Rudiger shokun e tij më të mirë në futboll gjatë ekzekutimit të penalltive në Man City-Real

Si e “tradhtoi” Rudiger shokun e tij më të mirë në futboll gjatë ekzekutimit të penalltive në Man City-Real

Liga e Kampionëve
Të kritikuar për lojën që bën ndaj Cityt, Ancelotti tregon se çfarë do të bëjnë ndaj Barcelonës

Të kritikuar për lojën që bën ndaj Cityt, Ancelotti tregon se çfarë do të bëjnë ndaj Barcelonës

La Liga
Rregulli i rreptë që duhet të ndjekë Zinedine Zidane nëse bëhet trajner i Bayern Munichut

Rregulli i rreptë që duhet të ndjekë Zinedine Zidane nëse bëhet trajner i Bayern Munichut

Bundesliga
Kalo në kategori