LAJMI I FUNDIT:

Haziri paralajmëron Kurtin: Kosova është në fazën e pëlcitjes sociale

Haziri paralajmëron Kurtin: Kosova është në fazën e pëlcitjes sociale

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lufti Haziri, ka paralajmëruar Qeverinë se se Kosova ka hyrë në një fazë të pëlcitjes së problemeve sociale.

Haziri ka thënë se Qeveria Kurti po i politizon grevat


“Nëse i shantazhon punëtorët e arsimit e shërbyesit e shtetit me ndalje të pagës sikur që ishte deklarata e ministrit të Financave, e që sot është dita e tretë dhe punonjësit e shtetit të të gjitha kategorive nuk i kanë marrë ende pagat, ky është asgjë tjetër pos – POLITIZIM”, ka thënë Haziri, përmes një postimi në Facebook, transmeton Telegrafi.

Ai ka thënë se dialogu social është mekanizëm krejt tjetër.

“Ky dialog, nuk po ndodh nga përfaqësuesit e qeverisë me ata të sindikatave, përkundër inkurajimit dhe thirrjes nga ana e LDK-së. Në kontekst të kësaj, Kosova ka hyrë në një fazë të pëlcitjes së problemeve sociale dhe kësaj po i kontribuon Qeveria Kurti”.

Ai ka komentuar edhe një pamje të Rrahman Jasharajt gjatë një interviste, teksa kreut të SBASHK-ut i rrjedhin lotët.

“P.S. Tani Rrahman Jasharaj, i cili ia dha kontributin Mësuesit të Popullit, nuk mund të lëndohet nga askush që vjen nga ata që po administrojnë me Kosovën. Lotët e tij për nxënësit e tij, jo prej frikës!”, ka shkruar Haziri. /Telegrafi/

LDK