Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se transformimi i FSK-së në Ushtri po merr krahë.

Në një shkrim të bërë në Facebook ai ka thënë se, është krenar që rreshtit të saj iu bashkua brezi i parë i rekrutëve të ushtrisë sonë.

Ndërkohë, Forcës së Sigurisë së Kosovës zyrtarisht sot i janë bashkuar 337 pjesëtarë të rinj, në mesin e tyre 52 femra dhe 22 nga komunitetet pakicë, transmeton Telegrafi.

Certifikimi i sotëm shënon gjeneratën e parë të rekrutëve që i bashkohen Forcës pas mandatit me misionin e saj të ri. Aty u fol për mbrojtjen e sovranitetit të vendit, dhe u tha se kufijtë e shtetit të Kosovës nuk do të prekën asnjëherë.

FSK-së i bashkohen 337 pjesëtarë të rinj FSK-së i bashkohen 337 pjesëtarë të rinj

Duke kujtuar që FSK është kredibile e multietnike, e gatshme për të kontribuar për paqe, gjeneral Rama u tha se ata do të jenë pjesë procesit të tranzicionit për mandatin e ri për mbrojtje të sovranitetit të vendit.

“Vizioni ynë është i qartë, ai është integrimi në strukturat veri-atlantike, ne jemi të vetëdijshëm që ky vizion kërkon angazhim e përkushtim shtesë, mirëpo me përkrahjen e vazhdueshme të partnerëve tanë strategjik, rrugëtimi ynë do të jetë më i lirë. Të nderuar ushtarë të FSK-së, ka filluar tranzicioni sipas planit bazuar në mandatin e ri për mbrojtjen e sovranitetit të vendit. Nga sot ju do të jeni pjesë e këtij procesi, andaj kërkoj nga ju angazhim shtesë duke i shfrytëzuar njohuritë dhe aftësitë tuaja të fituara deri më tani, në mbështetje të këtij procesi. Gjithashtu kërkoj nga gjithë pjesëtaret e FSK-së të punojnë në mënyrë të vazhdueshme në ngritjen e zhvillimit profesional në mënyrë që ky proces i tranzicionit të kryhet me sukses”, tha ai. /Telegrafi/