Halle Berry ka mbushur sot 60 vjeç dhe ditëlindjen e saj e ka shënuar me një publikim në Instagram, përmes të cilit ka treguar edhe një herë se nuk ka ndërmend ta fshehë moshën.

Aktorja ka ndarë me ndjekësit një seri fotografish, të shoqëruara me një mesazh të shkurtër, por të drejtpërdrejtë, për mënyrën se si zgjedh ta jetojë këtë etapë të jetës.


Publikimi tërhoqi shpejt vëmendjen e ndjekësve, të cilët e uruan për ditëlindjen dhe vlerësuan vetëbesimin e saj.

Krahas fotografive, Berry shkroi: “Nuk më interesojnë fare mendimet e të tjerëve”.

Postimi mori më shumë se 600 mijë pëlqime brenda vetëm 17 orësh, ndërsa komentet u mbushën me mesazhe mbështetëse.

“Është absolutisht perfekte”, shkroi një ndjekëse, ndërsa një tjetër komentoi: “Të lumtë! Vazhdo kështu, @halleberry!”.

Një tjetër përdoruese e përshkroi veprimin e aktores si simbol të lirisë dhe vetëbesimit, ndërsa një tjetër shkroi: “60 vjeç nuk kanë dukur kurrë më bukur!”

Prej vitesh, Halle Berry ka folur publikisht për presionin që gratë përjetojnë për shkak të moshës dhe pritshmërisë që të ruajnë sa më gjatë një pamje rinore.

Ajo ka theksuar veçanërisht rëndësinë e pranimit të ndryshimeve që vijnë me kalimin e viteve dhe nevojën që gratë të mos përpiqen me çdo kusht të duken më të reja.

Në një shkrim për Oprah Daily, dy vite më parë, Berry u bëri thirrje grave që “të ndalojnë përpjekjet për të qëndruar përgjithmonë në të tridhjetat dhe t'i lejojnë vetes të jenë në moshën që janë”.

“Duhet ta pranojmë veten, ta pranojmë trupin tonë ndërsa ndryshon dhe hapësirën tonë në jetë ndërsa ajo ndryshon. Jemi të bekuara që jemi këtu. Vetëbesimi i vërtetë, ndjenja e të qenit seksi dhe fuqia vijnë nga kuptimi se me çdo vit që kalon bëhemi gjithnjë e më të mira”, kishte shkruar ajo.

Aktorja ka kundërshtuar gjithashtu idenë se gratë humbasin vlerën me kalimin e moshës.


“Shoqëria na thotë se, kur arrijmë një moshë të caktuar, nuk jemi më të vlefshme, vitale apo të rëndësishme. Se jemi të padobishme. Por duhet të ngrihemi dhe të themi ‘jo’. Unë e refuzoj këtë teori”, ishte shprehur Berry.

Berry kishte thënë që dy vite më parë se mezi priste të plakej.

“Ndjehem si versioni më i mirë i vetes dhe mendoj se në moshën 60-vjeçare do të jem edhe më e mirë”, kishte deklaruar ajo.

Aktorja ka folur gjithashtu për rëndësinë që i kushton shëndetit dhe jetëgjatësisë, duke thënë se kjo i jep një ndjenjë kontrolli mbi jetën e saj.

“Ndjehem e sigurt, e fortë dhe seksi. Jam më e mençur dhe më e zgjuar se kurrë më parë”, kishte thënë ajo.

Tashmë, në ditëlindjen e saj të 60-të, Halle Berry duket se ka vendosur ta dëshmojë edhe një herë këtë filozofi përmes rrjeteve sociale. /Telegrafi/